Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, është dërguar urgjentisht në Qendrën Klinike në Beograd për shkak të problemeve serioze shëndetësore dhe është vendosur në repartin e pulmonologjisë. Ai po merr trajtim të terapisë intensive dhe është i lidhur me aparate për frymëmarrje, pasi i është diagnostikuar pneumoni e dyfishtë (infeksion në të dy mushkëritë). Mjekët kanë thënë se situata është shumë e rëndë dhe po bëjnë gjithçka për ta stabilizuar atë, raporton danas.rs . Mjekët kanë theksuar se në 72 orët e ardhshme pritet të shihet se si do të zhvillohet gjendja e tij, dhe për momentin është ende shumë herët për një parashikim. Daçiqi ka pasur probleme me shëndetin edhe ditët e fundit dhe për këtë arsye nuk ka marrë pjesë në disa angazhime të punës politike kohët e fundit. Ndryshe, Daçiq ka qenë zëdhënës i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit gjatë viteve 90-ta. / Telegrafi /