Caqet e aksioneve ushtarake të ShBA-së mund ta rrëzojnë diktaturën teokratike të ajatollahëve. Burimi: The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Ndërsa administrata Trump vazhdon me grumbullimin masiv ushtarak në Lindjen e Mesme, nuk janë vetëm iranianët e shumëvuajtur ata që shpresojnë se ndryshimi i regjimit në Teheran do të përmirësojë rrënjësisht fatin e tyre. Ndonëse Donald Trumpi - në fjalimin e tij të së martës mbi Gjendjen e Kombit [State of the Union] - deklaroi se preferenca e tij ishte ta zgjidhte përmes diplomacisë ngërçin me Teheranin përkitazi me ambiciet e tij bërthamore, përmasat e mëdha të forcës amerikane që po grumbullohet në rajon - më e madhja që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003 - sugjerojnë se afër është një formë e veprimit ushtarak. Për më tepër, gjasat që ShBA-ja të nisë një raund të ri sulmesh kundër Iranit do të mbeten të larta për sa kohë që negociatorët iranianë vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtën e patjetërsueshme të vendit për të zhvilluar aktivitetet e pasurimit të uraniumit, të cilat komuniteti i inteligjencës perëndimore beson se synojnë prodhimin e armëve bërthamore. Është një kusht që Trumpi ka pak gjasa ta pranojë, duke pasur parasysh zotimin e tij në fjalimin mbi Gjendjen e Kombit: “Nuk do ta lejoj kurrë sponsorizuesin numër një të terrorizmit në botë ... të ketë armë bërthamore”. Përballja më e fundit e Iranit me ShBA-në vjen në një kohë kur Republika Islamike ndodhet në pikën e saj më të ulët që nga lufta Iran-Irak në vitet ’80 të shekullit XX, kur diktatori irakian Saddam Hussein - me mbështetje perëndimore - iu afrua rrëzimit të ajatollahëve. Me ekonominë iraniane në gjendje kritike dhe regjimin që përpiqet të frenojë valën e protestave kundër qeverisë, ekziston një mundësi reale që veprimi i kujdesshëm ushtarak me caqe, nga ShBA-ja, do ta rrëzojë të gjithë strukturën e diktaturës teokratike të ajatollahëve. Madje, raportohet se ShBA-ja ka përpiluar një listë objektivash me figura kyçe të regjimit, si udhëheqësi iranian Ajatollah Ali Khamenei dhe djali i tij, për t’u eliminuar si pjesë e strategjisë së prerjes së kokës që synon ndryshimin e regjimit në Teheran. Nëse largimi i ajatollahëve do të mirëpritej nga shumica dërrmuese e iranianëve, të cilët kanë duruar gati pesë dekada të sundimit despotik, rënia e Republikës Islamike do të kishte pasoja që shtrihen përtej kufijve të Iranit. Përderisa Lindja e Mesme do të ishte përfituesja më e dukshme që ka mbajtur barrën kryesore të veprimtarive dashakeqe të Teheranit, ndryshimi rrënjësor i qeverisë do të kishte gjithashtu pasoja të thella gjeopolitike edhe në rajone të tjera. Në veçanti, Rusia dhe Kina, të cilat vitet e fundit kanë krijuar partneritete strategjike tregtare dhe ushtarake me Iranin, do ta shihnin pozicionin e tyre global seriozisht të zvogëluar - një rezultat që ndoshta shpjegon raportimet e fundit se Moska dhe Pekini janë gati t’i ofrojnë Teheranit armatime të sofistikuara. Rusia do të vuante më së shumti nga ndryshimi i regjimit, pasi Irani ka qenë aleat i vlefshëm në mbështetjen e përpjekjeve të luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë, duke i furnizuar rusët vazhdimisht me dronë dhe raketa balistike. Pasi ka humbur tashmë një aleat kyç në Venezuelë - këtë vit pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolás Maduro - do të dukeshin të kota përpjekjet e Putinit për të krijuar një bosht alternativ fuqie përballë ShBA-së. Edhe Kina do të gjendej nën presion nëse nuk do të mund të mbështetej më te furnizimi i qëndrueshëm me naftë iraniane me çmime të ulëta - 90 përqind e eksporteve të naftës së Iranit shkojnë në Pekin - për të mbështetur ekonominë e saj. Udhëheqësit komunistë të Pekinit do të kishin gjithashtu parasysh se çdo ndryshim në udhëheqje në Teheran mund të ndikonte negativisht në nismën e tyre ambicioze “Rripi dhe Rruga”, një pjesë kyçe e paktit të partneritetit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2021. Megjithatë, përfitimet më të menjëhershme të ndryshimit të regjimit në Teheran do të ndiheshin në Lindjen e Mesme, ku rrjeti i ndërlikuar i grupeve terroriste - të cilat Republika Islamike i ka krijuar në dekadat e fundit - do të duhej të mbijetonte pa mbështetjen ushtarake dhe financiare të ofruar nga mbështetësit iranianë. Pa ajatollahët, Hamasi do ta kishte të vështirë t’i rezistonte kërkesës së administratës Trump për çarmatim të plotë dhe shpërbërje të infrastrukturës së tij terroriste në Gaza - një nga kërkesat kryesore të planit me 20 pika të Trumpit për të sjellë paqen në enklavë. Ndërkohë, në Liban, është e dyshimtë nëse Hezbollahu, grupi terrorist shiit i mbështetur nga Irani që ka dominuar skenën politike të vendit për dekada, do të mund të mbijetonte në formën e tij aktuale pa mbështetjen e Teheranit. Edhe Iraku do të përfitonte, duke pasur parasysh se Irani vazhdon të mbështesë milici të shumta shiite në vend, qëllimi kryesor i të cilave është të sfidojnë përfshirjen e Uashingtonit në rajon. Jemeni, ku Irani është mbështetësi kryesor ushtarak i rebelëve të grupit Huthi, do të ishte një tjetër përfitues, pasi kjo do t’u mohonte atyre - të shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja - aftësinë për të vazhduar fushatën e tyre të kushtueshme të ndërprerjes së rrugëve detare tregtare në arterien jetike të Detit të Kuq. Trumpi mund të jetë ende duke shqyrtuar nëse do të nisë apo jo veprimet ushtarake kundër Iranit. Por, ndërsa peshon vendimin e tij, udhëheqësi amerikan duhet të kuptojë se nga largimi i ajatollahëve nuk do të përfitojë vetëm popullin iranian, por mbarë bota. /Telegrafi/