Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri ka folur sot lidhur me qëndrimet e PDK-së karshi çështjes së presidentit të vendit. Tahiri në një prononcim për media tha se PDK mbështet një kandidat për president që përfaqëson pozitën, opozitën dhe qytetarët. “PDK-ja e mbështet dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike, por dikë që e përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt... Dikush që ka reputacion edhe vendor edhe ndërkombëtar, dikush që ka kontribute, është intelektual dhe i bën nder edhe shtetit të Kosovës edhe popullit të Kosovës...”, tha ai. Tahiri tutje shtoi se ende nuk kanë folur për emra të përveçëm, por sipas tij, vullneti i PDK-së është me kontribu në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë. Sipas tij, nëse nuk do të gjendet një kandidat i tillë dhe nuk ka disponim prej forcës kryesore politike, PDK është e gatshme për zgjedhje. Shefi i GP-së së tha se PDK nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por për qasje proaktive, mbështetëse për institucionet dhe e mbështet një kandidat që i plotëson standardet e lartcekura. I pyetur nëse Vjosa Osmani i plotëson këto standarde, Tahiri tha se nuk dëshiron të lëshohet në emra të përveçëm. “Nuk dua të lëshohem në emra të përveçëm. Por, mendoj se vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson vetëm një grup apo një subjekt, por dikush që është mbi partitë politike”, potencoi Tahiri. Ai po ashtu u deklarua edhe në pyetjen nëse PDK do të propozojë ndonjë emër. “Në këtë nivel jemi duke folur në parime dhe standarde, por nëse e nevojshme, e arsyeshme e kërkohet PDK do të nxjerrë edhe emra”, tha ai. /Telegrafi/