Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur bën të ditur se mbetjet mortore (eshtrat) e tre viktimave të luftës Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur dhe u identifikuan së fundmi përmes analizës shkencore të ADN-së, do të rivarrosen të premten, më 27 shkurt 2026, në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve. Komisioni njofton se mbetjet e tyre mortore janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin. Ceremonia e rivarrimit organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Agjenda e ceremonisë: 11:30 - 12:30 Homazhe në Shtëpinë e Kulturës "Jehona e Dukagjinit", Klinë ; 13:00 - Akademi Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës "Jehona e Dukagjinit" ; 14:00 - Rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, Kodra e Kuqe - Zajm, Klinë. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u shpreh ngushëllime familjeve dhe riafirmon përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/