Industria e mbrojtjes e Turqisë ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm me eksportin drejt Spanjës të aeroplanit stërvitor Hurjet të zhvilluar nga Industritë Ajrore Turke (TAI). Prodhimi në seri i aeroplanit Hurjet është aktualisht në zhvillim për Forcat Ajrore Turke, ndërsa përgatitjet vazhdojnë për përmbushjen e kërkesave të kontratës së eksportit me Spanjën. Aeroplani pritet të hyjë në shërbim në Turqi në vitin 2027 dhe në Spanjë në vitin 2028. Në kuadër të marrëveshjes, kompania turke e mbrojtjes Havelsan do të furnizojë simulatorin e plotë të misionit dhe atë të trajnimit të fluturimit që do të shoqërojnë Hurjet-in. Simulatori pritet t’i dorëzohet Forcave Ajrore Turke në tremujorin e katërt të vitit 2026, përpara eksportit të aeroplanit në Spanjë. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Havelsan, Mehmet Akif Nacar, për Anadolu tha se kjo marrëveshje përbën një pikë kthese për sektorin turk të mbrojtjes. Sipas tij, marrëveshja përmbys një prirje të kahershme ku Turqia importonte simulatorë të tillë, duke theksuar se Havelsan tashmë ka zhvilluar kapacitetet për projektimin dhe eksportin e softuerëve të avancuar të simulatorëve. Ai shtoi se kompania synon të zbatojë të njëjtin model eksporti edhe me vendet e tjera që do të blejnë Hurjet-in, duke ofruar simulatorë modernë trajnimi krahas aeroplanit. Inxhinierët e kompanisë Havelsan nisën punën për simulatorin e Hurjet-it tre vjet më parë, duke kontribuar në testet inxhinierike të aeroplanit, skenarët e kabinës dhe proceset e validimit. Kompania po përdor të njëjtën qasje inxhinierike edhe për KAAN-in, aeroplanin luftarak të zhvilluar në vend. Simulatori i integruar i gjeneratës së re i Hurjet-it u mundëson pilotëve të trajnohen në skenarë virtual gjatë fluturimeve reale, pa u mbështetur në sistemet vizuale tokësore, duke zgjatur kohën efektive të trajnimit operacional. Havelsan po ndërton gjithashtu një kompleks të ri në Ankara për të përmbushur kërkesën në rritje brenda dhe jashtë vendit. Pas përfundimit, kjo qendër pritet të jetë më e madhja në Evropë për prodhimin dhe integrimin e simulatorëve. Nacar theksoi se pjesa e Havelsan-it në tregun global dhe të ardhurat nga eksporti pritet të rriten me zgjerimin e shitjeve ndërkombëtare të platformave vendase nga TAI, përfshirë aeroplanët Hurkus dhe Atak. /AA/