"Buxheti është në gjendje stabile dhe të mirë dhe të gjitha detyrimet servisohen në kohë dhe pa probleme", theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska në përgjigjen e pyetjes parlamentare në Kuvend. Ajo apeloi që të mos krijohet perceptim i rremë se buxheti është në gjendje kolapsi financiar dhe theksoi se fakti që nuk ka vonesa në pagesa dhe nuk ka barrë shtesë për qytetarët dhe ekonominë tregon qartë se financat publike po menaxhohen në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe me plan të qartë. “Apeloj që të mos krijohet perceptim i rremë se buxheti është në gjendje kolapsi financiar. Nëse buxheti i servison të gjitha detyrimet në kohë dhe nuk krijon barrë shtesë për qytetarët dhe kompanitë, kjo tregon qartë se financat publike janë të qëndrueshme dhe në gjendje të mirë. Politikat tona orientohen drejt konsolidimit fiskal, transparencës dhe krijimit të besimit midis investitorëve dhe publikut”, theksoi Dimitrieska Koçoska. Ministrja ritheksoi se që nga fillimi i vitit shteti ka marrë hua një miliard euro me qëllim të shlyerjes së detyrimeve ekzistuese, ndërsa në mënyrë shtesë do të sigurohen edhe 300 milionë euro nga jashtë vendit, që do të destinohen për servisimin e borxhit që maturohet, sepse, siç tha ajo, vetëm në vitin 2026 maturojnë detyrime prej rreth dy miliardë eurove, informacion ky që komunikohet vazhdimisht dhe në mënyrë transparente, duke sqaruar se bëhet fjalë për menaxhim të përgjegjshëm të borxhit publik dhe jo për huamarrje të re neto, theksoi ministrja. “Deficiti buxhetor shënon ulje të vazhdueshme, nga 4.4 % e PBB-së në vitin 2024, në 4% në vitin 2025, me projektim prej 3.5% për vitin 2026, që është sinjal i qartë i konsolidimit fiskal dhe stabilizimit të financave publike”, theksoi ministrja. Duke iu referuar euroobligacionit, ajo theksoi se norma më e ulët e interesit që ka arritur me emetimin e tij është rezultat i muajve të tëra pune të përkushtuar dhe komunikimit intensiv me investitorët e huaj. “Nuk ka asnjë koment të vetëm për normën më të ulët të interesit që kemi marrë për euroobligacionin. Ajo nuk bie “nga qielli”. Ajo është rezultat i muajve të tëra pune dhe komunikimit të vazhdueshëm me investitorët, të cilët çdo ditë bëjnë pyetje në lidhje me buxhetin, ekonominë, planet dhe sigurisht për kushtet e pasuara, të cilat monitorojnë me kujdes politikat ekonomike, dispilinën buxhetore, proceset reformuese dhe kushtet e pasuara”, tha ministrja. Ajo theksoi se prioritet mbetet menaxhimi i përgjegjshëm i finacave publike, ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe sigurimi i mjedisit të sigurt dhe të parashikueshëm ekonomik për qytetarët dhe bizneset.