Kosova është drejt rrugës për të përfituar 62 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga parafinancimi pasi në parlament u ratifikua marrëveshja me BE. Kjo pagesë nuk është e kushtëzuar nga përmbushja e hapave nga Axhenda e Reformës dhe tani është e sigurt, por kësti i radhës është pezull. Nëse, në tre muajt e ardhshëm, nuk ndërmerren hapat nga axhenda për të cilat Kosova duhej t'i përfundonte deri në qershor 2025 e për të cilat BE po "shikon përmes gishtave" në 12 muaj të tjerë, një pjesë e të hollave të destinuara për Kosovën, mund të shpërndahen të tjerëve në rajon, paralajmërojnë bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn.