Droni rus Shahed u rrëzua me mitralozin M134 Minigun, në një operacion ajror të realizuar me sukses. Ekuipazhi i një aeroplani AN-28, i pajisur me sistem modern shënjestrimi me laser, arriti të identifikojë dhe të ndjekë objektivin në ajër, duke reaguar me shpejtësi ndaj kërcënimit. Droni iranian, i cili po fluturonte drejt objektivave të infrastrukturës kritike në Ukrainë, u neutralizua përpara se të arrinte në zonën e synuar. Sipas burimeve ushtarake, koordinimi i saktë mes sistemit të zbulimit dhe armës automatike me ritëm të lartë zjarri bëri të mundur goditjen efektive të dronit në fluturim. Ky operacion konsiderohet një shembull i përdorimit efikas të mbrojtjes ajrore kundër mjeteve ajrore pa pilot, të cilat janë përdorur gjerësisht në sulmet ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës civile. Ndryshe, Irani është ndër vendet kryesore që e ndihmon Rusinë në pushtimin e shtetit ukrainas. /Telegrafi/