Në kuadër të aktiviteteve bujqësore në Burgu i Dubravës, ka nisur procesi i krasitjes së mollëve në plantacionin e këtij institucioni korrektues. Aktiviteti po realizohet nga të burgosurit, nën mbikëqyrjen e stafit përgjegjës. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se angazhimi i të burgosurve në këto punë ka për qëllim jo vetëm mirëmbajtjen e plantacionit, por edhe aftësimin e tyre profesional në sektorin e bujqësisë. Sipas njoftimit, ky aktivitet është pjesë e iniciativave për rehabilitimin dhe risocializimin e të burgosurve, duke u mundësuar atyre të fitojnë aftësi praktike që mund t’i shfrytëzojnë pas përfundimit të dënimit. Plantacioni i mollëve, me sipërfaqe prej 2.5 hektarësh, ofron hapësirë të konsiderueshme për punë praktike, ku të burgosurit angazhohen rregullisht në procese të ndryshme bujqësore, duke fituar përvojë konkrete profesionale.