Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin” zhvilloi një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë. 20 ish- luftëtarë, të veshur në uniforma të UÇK-së u takuan me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla. Me këtë rast, u vu theksi të çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët tash e mbi pesë vjet po mbahen në paraburgim në Hagë. Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, tha për Kosova Press se kjo vizitë është një mesazh uniteti dhe qëndrueshmërie në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare. Përfaqësuesit e Iniciativës “Të gjithë për luftëtarin” shprehën qëndrimin e tyre lidhur me këtë proces dhe nevojën për drejtësi. Po ashtu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë dhe rezolutës kundër Gjykatës Speciale në Hagë , Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin” e nderoi me një mirënjohje Kuvendin e Shqipërisë.