Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se procesi i zgjedhjes së presidentit po përdoret si mjet për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sipas Haradinajt, Kurti po synon krijimin e një situate që mund të përfundojë me zgjedhje të reja parlamentare. “Krejt çka i ka marrë prej Vjosës, fare s’po i investon për Vjosën. Dhe nëse e qet ka me qit veç me na çu në zgjedhje. Kurti është ka don me na çu në zgjedhje, dhe në zgjedhje po na çon. Dhe i kisha thënë presidentes fare mos i mbledh nënshkrimet, se është veç met të vonu, poshtru, me të qit në peshore". "Kurti është ka ia luan lojën asaj, sepse po i dhimbet çka do koftë që e ka mbërri e sukses 51 për qind me ndihëm e Vjosës, po i dhimbset me ia kthy edhe qoftë një për qind. S’po ka mëshirë politike ndaj askujt, sepse po do një kontroll të plotë, ai dhe vetëm ai”, ka thënë Haradinaj. Procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë po zhvillohet në një afat të ngushtë kushtetues. Mandati i presidentes aktuale përfundon më 4 prill 2026, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 mars 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy rundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga 30 nënshkrime deputetësh. Nëse asnjë kandidat nuk arrin shumicën e kërkuar në dy rundet e para, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.