Fetoshi: Përfshirja ruse në debatin për Ligjin për të Huajt në Kosovë, “zgjatim i propagandës serbe”

Drejtori i Instituti për Studime të Luftës Hibride Octopus, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratave të Moskës lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke e cilësuar përfshirjen ruse si një “zgjatim të koordinuar të propagandës serbe në nivel ndërkombëtar”. Në një postim në Facebook, Fetoshi ngriti pyetjen retorike: “A janë të huaj serbët e Kosovës?”, duke e konsideruar ndërhyrjen e Rusisë si përpjekje për të amplifikuar narrativën e alarmit. “Kur Rusia i vjen në ndihmë Serbisë për narrativën e ‘kërcënimit ekzistencial’ të serbëve me Ligjin për të Huajt në Kosovë, kemi të bëjmë me një zgjatim të koordinuar të dezinformimit, të kamufluar me ‘të drejta e njeriut’”, shkruan Fetoshi. Ai shtoi se pas konsumimit të kësaj fushate brenda Serbisë, alarmi po tentohet të eksportohet në skenën ndërkombëtare, ku zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova, vepron si “megafon i Serbisë për audiencën ndërkombëtare”. Fetoshi kritikoi deklaratat nga Moska që paraqesin zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete si “spastrim të provincës nga popullata serbe”, duke injoruar faktin se ligjet synojnë harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian për kontrollin kufitar dhe menaxhimin e migracionit. Ai shtoi se propaganda serbe dhe mediat ruse, përfshirë Sputnik Srbija dhe RT, e kanë kornizuar këtë proces si “akt i fundit” i një politike represive, me qëllim nxitjen e frikës dhe manipulimin e opinionit publik. “Zgjatimi i kësaj narrative deri në Moskë nuk është gjë tjetër përveç ‘zhurmë më e madhe’ që synon rritjen e alarmit ndërkombëtar dhe pengimin e Kosovës”, tha Fetoshi, duke theksuar se interpretimi i ligjeve si “kërcënim ekzistencial” është pjesë e një skeme manipulimi për përdorim politik dhe propagandistik.