Përleshje në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Prishtinë, një i lënduar

Një përleshje fizike ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 21:00 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Prishtinë, ku si pasojë një person ka mbetur i lënduar. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se i lënduari ka pranuar tretman mjekësor. “Sot rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga informatat fillestare, raportohet se një person ka mbetur i lënduar, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, tha Pllana. Sipas policisë, personat e përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa njësitet përkatëse hetimore janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.