Kryediplomati iranian, Araghchi: Kemi dallime me Amerikën, por jemi marrë vesh në elementet kryesore

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Uashingtoni dhe Teherani kanë identifikuar elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme dhe do t’i çojnë bisedimet në nivel teknik. Araghchi bëri këto komente pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani përfunduan raundin e tyre të tretë të bisedimeve në Gjenevë, shkruan cnn. “Ne arritëm të identifikojmë elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme dhe t’i diskutojmë këta elementë”, tha Araghchi për televizionin shtetëror iranian, Press TV. “Natyrisht, ende ka dallime, por në shumicën e rasteve kemi arritur të paktën një mirëkuptim të përgjithshëm se si të zgjidhen këto çështje”, shtoi ai. SHBA-të dhe Irani me "përparim të konsiderueshëm", caktojnë bisedime të mëtejshme në Vjenë Duke u bazuar në këtë përparim, Araghchi tha se palët ranë dakord të caktojnë ekipet e tyre teknike për të takuar në Vjenë, në selinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, për të filluar punën mbi aspektet teknike të marrëveshjes së mundshme. Araghchi gjithashtu tha se lehtësimi i sanksioneve për Iranin ishte një fokus kryesor i diskutimeve. Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar ditë më parë se në rast të dështimit të bisedimeve, atëherë do të pasojnë sulmet amerikane ndaj Iranit. /Telegrafi/