Sulmuesi Lionel Messi ka pranuar se pendohet që nuk mësoi anglisht kur pati mundësinë. Legjenda e Barcelonës njihet për faktin se nuk e flet anglishten, duke pasur shpesh nevojë për përkthyes dhe duke i zhvilluar të gjitha intervistat në gjuhën spanjolle. Messi tha se ndihet disi “idiot” që nuk e shfrytëzoi mundësinë për të mësuar anglisht gjatë shkollës dhe se kjo e bënte të ndihej në siklet dhe inferior kur takonte personalitete të famshme me të cilët nuk mund të komunikonte. “Pendohem për shumë gjëra”. “Nuk e mësova anglishten kur isha fëmijë. E kisha kohën për ta studiuar dhe nuk e bëra. Pendohem thellësisht” “Kam përjetuar situata kur kam qenë me personalitete të jashtëzakonshme me të cilët mund të bisedoja dhe ndihesh gjysmë injorant. Gjithmonë mendoja: ‘Sa idiot, si e humba kohën’”. “Kur je i ri, nuk e kupton. Sot këtë ua them fëmijëve të mi: të kenë një arsim të mirë, të studiojnë dhe të jenë të përgatitur. Gjithmonë u them fëmijëve të mi ta shfrytëzojnë mundësinë. Ata kanë një situatë ndryshe nga ajo që kisha unë, edhe pse mua nuk më ka munguar asgjë”, tha Messi në podcastin “Miro de Atras”. Messi u transferua nga Argjentina te Barcelona në moshën 14-vjeçare, duke iu bashkuar akademisë së klubit La Masia pas kontratës së famshme të nënshkruar në një pecetë. Ai e përshkroi vitin e tij të fundit të shkollës në Argjentinë si “një katastrofë”. “E dija që do të largohesha. Në Barcelonë e përfundova shkollën e mesme me fëmijët e tjerë që shkuan te La Masia”, kujtoi ai. /Telegrafi/