DJ i njohur francez David Guetta ka zgjeruar familjen e tij. Partnerja e tij, Jessica Ledon, ka sjellë në jetë djalin e tyre të dytë, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Skyler. Lajmin e bukur çifti e ndau vetë në rrjetet sociale përmes një postimi të përbashkët në Instagram. “Mirë se erdhe në botë, Skyler. Sekreti më i mirë që kemi mbajtur ndonjëherë”, shkruan ata krahas një serie fotografish familjare. Në imazhe shfaqen momente të ëmbla nga festa e bebes, e organizuar me temë arushi pelushi, ku bie në sy torta me krem blu, arushët dekorativë dhe një tabelë e madhe me mbishkrimin “Baby Guetta”. Në një prej fotografive shihet edhe djali i tyre Cyan, i cili së shpejti mbush dy vjet, teksa shikon nga krevati i vogëlushit Skyler. Postimi u shoqërua me urime nga figura të njohura të showbiz-it. Jennifer Lopez komentoi: “Awww, urime”, ndërsa Ivanka Trump shkroi: “Jam shumë e lumtur për ju! Urime David dhe Jessica!”. David Guetta dhe Jessica Ledon janë në një lidhje që prej vitit 2015. Edhe pse u raportua për një ndarje në vitin 2022, çifti u ribashkua një vit më pas dhe në mars 2024 mirëpritën djalin e tyre të parë, Cyan. Nga martesa e mëparshme me Cathy, Guetta është gjithashtu baba i dy fëmijëve të rritur, Tim Elvis, 22 vjeç, dhe Angie, 18 vjeçe. /Telegrafi/