Lëvizje e papritur - SHBA i ofron dialog pa asnjë kusht paraprak Koresë së Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hapura për dialog me Korenë e Veriut pa asnjë kusht paraprak, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Yonhap që citon burime nga Shtëpia e Bardhë. Ky qëndrim i Uashingtonit vjen në kohën kur udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, këtë javë tha se nuk ka arsye për marrëdhënie të tensionuara me SHBA-në nëse Uashingtoni ndalon, siç tha ai, “politikën armiqësore” ndaj vendit të tij. Kim mbylli një kongres disa-ditor të Partisë së Punëtorëve të Koresë, ku prezantoi objektivat politike dhe ushtarake për pesë vitet e ardhshme, shkruan reuters. Në fjalimin e tij, ai përsëriti refuzimin e negociatave me Seul-in zyrtar, por la dyert hapur për bisedime me Uashingtonin - me kushtin që SHBA-të ta njohin Korenë e Veriut si një fuqi bërthamore. Në të kaluarën, zyrtarët verikoreanë kanë refuzuar ofertat amerikane për denuklearizim (shpërbërje të armëve bërthamore), duke nënvizuar se janë të gatshëm të rifillojnë bisedimet vetëm nëse Shtetet e Bashkuara heqin kërkesat për dorëzimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump gjatë mandatit të parë u takua tre herë me Kim Jong-un në përpjekje për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut, por këto samite nuk sollën një rezultat përfundimtar. /Telegrafi/