Trajneri i Lirisë së Prizrenit, Ismet Munishi, ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ku ka folur për ecurinë e skuadrës, rivalitetin në Ligën e Parë dhe objektivat për këtë sezon. Ai është shprehur i kënaqur me formën e ekipit dhe ka theksuar se kampionati aktual është ndër më të fortët në vitet e fundit. “Kampionati është jashtëzakonisht i vështirë. Grupi është jashtëzakonisht i mirë. Skuadra është fizikisht e përgatitur shumë mirë dhe me thënë të drejtën, edhe informatat po i pranojnë shumë mirë”, ka thënë fillimisht trajneri Munishi. Ai theksoi se është i kënaqur me mënyrën se si skuadra ka arritur të zbatojë idetë e tij në një kohë të shkurtër. “Jam shumë i kënaqur që kemi arritur të luajmë futbollin që e dua dhe kam besim të madh te grupi. Të gjitha skuadrat e mëdha janë rivalët tanë”. Munishi veçoi edhe KF Ramiz Sadiku si një nga befasitë e sezonit. “Edhe Ramiz Sadiku do ta fusja mes rivalëve. Është skuadër e mirë, ka bërë punë shumë të mirë dhe është befasia e kampionatit”, tha Munishi, duke shtuar se shumë ekipe me traditë po e bëjnë garën edhe më të fortë. Sa i përket presionit dhe rivalitetit, trajneri u shpreh se presioni ekziston te të gjitha skuadrat. “Presioni është prezent te të gjitha skuadrat. Liga nuk ka qenë kurrë më e fortë. Në fund do të shihet kush e përballon më mirë presionin, por unë jam shumë optimist për ekipin tim”. Munishi nënvizoi se rezultatet aktuale janë fryt i një pune të vazhdueshme në klub. “Te Liria është bërë punë shumë e mirë edhe më herët. Ne nuk kemi ardhur me shkop magjik, meritat i kanë edhe trajnerët që kanë qenë para nesh, sepse skuadra ka qenë e përgatitur dhe klubi është i organizuar”, theksoi trajneri. Në fund, Munishi u shpreh i lumtur me aventurën e tij te Liria. “Me thënë të drejtën besoj që më shumë Superligës i mungon Munishi. Unë jam shumë i kënaqur, edhe në Ligën e Parë unë e kam futbollin pasion. Jam ardh me një klub shumë të madh edhe besoj që kemi me bë gjëra të mira”, përfundoi Munishi. Aktualisht, Liria renditet në vendin e pestë me 42 pikë. Kryesimin e mban Trepça '89 me 45 pikë, ndërsa Vushtrria në vendin e dytë me 44 pikë, Dinamo në vendin e tretë me 44 pikë poashtu, kurse në pozitën e katërt renditet Feronikeli me 43 pikë. /Telegrafi/