Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të profesorit Enver Hasani ndaj rektorit Arben Hajrullahu

Me aktvendimin e datës 20 shkurt 2026 Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë si të pabazuar kallëzimin penal të profesorit Enver Hasani, lidhur me pretendimin e tij se avancimi në profesor të rregullt në UP në vitin 2022 i rektorit aktual Arben Hajrullahu është i paligjshëm. Prokuroria ka konstatuar se: „pretendimet e ngritura nga paraqitësi i kallëzimit penal, Enver Hasani, nuk mbështeten në fakte”. Me marrjen e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës, më 1 tetor 2024, Arben Hajrullahu kishte gjetur një shkresë të përcjellë me dëshmi përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, në të cilën dëshmohet se profesori Enver Hasani ka bërë deklarim të rremë nën betim pranë kësaj agjencie. Po ashtu, rektori kishte hasur edhe një vendim të Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për masa disiplinore ndaj ish-rektorit dhe profesorit Enver Hasani. Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga funksioni i rektorit, këto çështje janë trajtuar në mënyrë procedurale, duke u referuar në organet kompetente për shqyrtim të pavarur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe janë proceduar në strukturat përkatëse të brendshme të universitetit.