Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, publikoi një sërë fotografish nga takimi me Iniciativën “Të gjithë për luftëtarin” në Kuvendin e Shqipërisë. I quajti Fotot e ditës: Liria ka emër. Në këtë takim morën pjesë rreth 20 ish- luftëtarë, të veshur në uniforma të UÇK-së. Me këtë rast, u vu theksi te çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët tash e mbi pesë vjet po mbahen në paraburgim në Hagë. Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, tha për Kosova Press se kjo vizitë është një mesazh uniteti dhe qëndrueshmërie në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare. Përfaqësuesit e Iniciativës “Të gjithë për luftëtarin” shprehën qëndrimin e tyre lidhur me këtë proces dhe nevojën për drejtësi. Po ashtu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë dhe rezolutës kundër Gjykatës Speciale në Hagë , Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin” e nderoi me një mirënjohje Kuvendin e Shqipërisë.