Rrezik i përditshëm në magjistralen Klinë–Gjakovë: mbajtëset e betonit kërcënojnë sigurinë e vozitësve

Në segmentin e magjistrales Klinë–Gjakovë, disa mbajtëse të mëdha betoni, të vendosura përgjatë anës së rrugës, po paraqesin rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve. Siç shihet edhe nga pamjet në terren, një pjesë e strukturave janë anuar dhe kanë pësuar çarje të dukshme, duke krijuar pasiguri për çdo veturë që kalon në këtë aks, njofton Telegrafi. Zona është e sinjalizuar me kufizim shpejtësie dhe tabela paralajmëruese për ngushtim të rrugës, por drejtuesit e mjeteve thonë se frika mbetet e pranishme, sidomos gjatë orëve me qarkullim të dendur apo në kushte të motit të ligë. Çdo lëvizje e mundshme e këtyre pllakave të rënda të betonit do të mund të kishte pasoja të rënda për automjetet dhe pasagjerët./Telegrafi/