Analistët diskutojnëskenarët për Presidencën, përmendet si opsion edhe Glauk Konjufca

Ish-deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit të ri i takon tërësisht Lëvizja Vetëvendosje, si partia që udhëheq me qeverinë. I ftuar në emisionin “FIVE” në TV Dukagjini, Mustafa u shpreh se shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte “gabim i madh”. Sipas tij, me shumicën parlamentare që ka Vetëvendosje, të gjitha angazhimet institucionale dhe çështja e presidentit varen nga kjo parti. Ai theksoi se mundësia për të vazhduar mandatin e Vjosa Osmani mbetet opsion, por vendimi përfundimtar, sipas tij, është në duart e kryeministrit Albin Kurti. Mustafa komentoi edhe deklarimet e Murat Jasharit lidhur me spekulimet për përfshirjen e familjes Jashari në garën për president. Ai tha se familja Jashari nuk duhet të përdoret për çështje politike, duke vlerësuar qëndrimin e Murat Jasharit si sqarues të situatës. Zgjedhjet e parakohshme në horizont për Kosovën? Në të njëjtin emision, analisti politik Ardian Bytyqi u shpreh se pozita do ta zgjedhë presidentin dhe përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja. Sipas tij, Kurti ka fuqinë të sigurojë votat për cilindo kandidat që propozohet, ndërsa shtoi se nëse nuk ka kandidat tjetër, Osmani mund të marrë edhe një mandat të dytë. “Deklarata e Osmanit ishte thjeshtë një përshëndetje që e kishte ndaj një qytetari dhe ishte e njëjtë si një sllogan i Lëvizjes Vetëvendosje “mos lsho pe” edhe ajo tha në shumës dhe la të nënkuptohet se ka të bëjë me një subjekt politik që do ta përkrah – dhe mendoj që nuk duhet të shkojmë sërish në zgjedhje. I vetmi që mund ta bëjë president secilin emër që vjen për president mendoj se është kryeministri Kurti, dhe besoj do të kemi president dhe jo zgjedhje të reja”, u shpreh Bytyqi. “Në instanca të fundit mund të jetë edhe Glauk Konjufca kandidat për president të ardhshëm”, tha Bytyqi. Ndërkaq, ish-diplomati Blerim Canaj u shpreh skeptik për arritjen e konsensusit, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë lehtësisht në zgjedhje. Ai tha se Osmani nuk gëzon mbështetjen e partive opozitare dhe përjashtoi përkrahjen e Lista Serbe në zgjedhjen e presidentit. Canaj kritikoi gjithashtu veprimtarinë e presidentes në planin e brendshëm, duke pretenduar për shkelje kushtetuese, ndërsa theksoi se mbetet e paqartë nëse do të sigurohen votat e nevojshme në Kuvend për një mandat të ri. “Zonja Osmani e ka kryer punën e saj në përfaqësimin e Kosovës, por kur flaim për punën e saj brenda shpeshë herë e kanë pas mirë partitë opozitare kur i kanë thënë se është notere e Kurtit, ka pasur shkelje kushtetuese e shumë të tjera. Si mund të presim ne që një person i tillë që e shkakrkon kryetaren e KQZ-së pse ka Kurti dëshirë ashtu të ketë edhe një mandat tjetër”, u shpreh Canaj./ Telegrafi /