Në 28-vjetorin e masakrave në Likoshan dhe Qirez, një dëshmi rrëqethëse vjen nga një prej të mbijetuarve, një baba nga Drenica, të cilit forcat serbe ia vranë katër djemtë në oborrin e shtëpisë. Shermet Sejdiu me zërin që i dridhet nga dhimbja kujton ditën kur bota e tij u përmbys, një tragjedi që la gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e Kosovës. Gjithçka nisi papritur. I moshuari tregon se atë ditë ndodhej në Prishtinë, kur dëgjoi për luftimet që kishin nisur në Prekaz dhe Llaushë. I shqetësuar u kthye me nxitim, por u detyrua të strehohej në një mal aty pranë. Prej andej, pa me sytë e tij tmerrin teksa shtëpitë digjeshin e flakët gllabëronin gjithçka. “Kur filluan ngjarjet në Likushan dhe Qirez, atë ditë sikur sot që më keni ardhur... Nesër bëhen 28 vjet që janë vrarë djemtë këtu. Unë kam shkuar në Prishtinë me ndejt, e kam pasur motrën të gjallë atje, kam ndejt atë natë, kemi ardhur diku te Kroni i Mbretit, kam ni që Prekazi e Llausha po luftojnë, kam ardhe në Drenas në këmbë. E pashë nuk ka këndej asgjë, ishte një grup me njerëz, fola me ta, e çuan një djalë tha Prekazi dhe Qirezi, tha na jemi prej Prekazit,edhe djemtë e tjerë i ka thënë, që po luftojnë. Kam ardhur, kam ndejt në një mal, Kamenicë thirret...Aty kanë gjuajtur dy helikoptera, sa kanë mujt tëra shtëpitë, përveç një e jeme se nuk dukej prej atje... Më kanë vrarë katër djemtë e mi, edhe dy të tjerë, biri i Seferit të Nebiut Iliri, edhe Beqir Rexhepi, këtu janë vrarë gjashtë në oborrin tim.Shqiptarë. Këta katër djemtëq e mi, edhe ata që i kam si vëllezër, të vendit tonë”, rrëfen Sejdiu. Tragjedia e familjes së tij ishte pjesë e një fushate më të gjerë terrori. Atë ditë, në rajon u vranë gjithsej 24 persona, ku familja Ahmeti nga Likoshani pësoi goditjen më të rëndë, duke humbur 11 anëtarë. “ Kam ndejt atë natë atje gjithë natën në mal, jemi sjellë përreth, kam parë se ku janë ...Vëllain e Xhemshitit e takova e më tha është vrarë Xhemshiri, Rukia, edhe babën e kanë plagosur... Në ora 3:00 filluan të ikin forcat... Kam ardhur te shtëpia, këtu kanë qenë nja 10.000 veta duke shikuar,kur erdha këtu, robtë i kisha pasur te një kushëri. Doli gruaja, tha mbetem pa djemë. Thashë çka të ketë thënë Zoti. Thashë kadalë të bëhemi të forte, Zoti si ka thënë . Edhe... thashë, ‘ti rri këtu, po shkoj te shtëpia’ . Prej atje i pashë dy të vrarë. Dy djemtë të vdekur...Dy i kishin futur brenda, këtu kur del një kushëri, tha, pasha Zotin , shko shihi.Thashë, dy po i shoh të vrarë aty.Kur erdha, katër të vrarë. Nuk është lehtë, është rëndë. Na kanë zënë si në gjumë, papritmas”, tha Sejdiu. “Për mbi, 100 vetë kanë qenë në oborr... Djali i vogël, Bekimi, ka thënë, "Nuk ka djalë nane që hyn."... Ata si kanë hy, me dyer, me dritare, më kanë bërë kërrsh, kanë gjuajtur, kanë sulmuar. Tash janë hy brenda. E kanë qitur jashtë. Beqiri i madhi ka qenë, i ka thënë, "Shtrihu për tokë." Qaty me Bekimin. Bekimi nuk ishte dorëzuar njëherë. E kanë rrahur dhe më pas gruaja, u afrua, i ka thënë, "Zot, ju vraftë a rrehet ky fëmijë, pa ju vrarë Zoti mos e lashtë”. E kanë rrahur edhe gruan....Nazmia e Bekimi janë vrarë në oborr... Këtu më kanë vetë sa plumba, nuk e di as atëherë as sot... Veç të katërtit këtu i kam pasur të vranë. Janë ata dy të tjerët këtu. Nuk ka qenë lehtë, rëndë. Po nuk gjeta rrugë tjetër. Iu kam mbështet, Zotit, thashë, "Të i ruaj këta rob që më kanë mbetur, mos të dëmtohen më shumë " Pas 28 vjetësh, plagët janë ende të thella. I moshuari Shermet Sejdiu kujton se si djemtë e tij ishin shpresa e familjes, studentë që po përgatiteshin për të ardhmen. “22-23 vjeç kanë qenë djemtë. Binjakët..Beqiri më i madhi. Ëh, nuk gjeta rrugë, iu mbështeta Zotit. Më ka ndihmuar Zoti... Paska qenë jeta e tyre e shkurtër. Tash, desha të të them, fjalët e para që desha të flas, '95-ën kam qenë gjashtë javë ditë ... në Skenderaj. Ditën e fundit që u bë gjashtë javë ditë, m’i kanë lypur binjakët. Dy alltia, i kishin , serbisht me pyetshin, dinin të flisnin edhe shqip. Po qeshi, po them, "S'di as unë serbisht, binjakët, ishin 16 vjeç. Tha, ‘Ata i duam’... Unë e rrejta, 16 vjeç, është në fakultet. “S'ki çare pa kallëzuar me çfarë autobusi po shkon. Edhe krejt ata profesorë, edhe shoqëninë. Çare s'ki pa kallëzue’, tha Më 28 shkurt 1998, forcat serbe vranë 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit. Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16). Ranë edhe dëshmorët Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe në Drenicë. Ishte ndër masakrat që tronditi botën. Në një raport për të drejtat e njeriut ''Human Rights Watch'' (HRW) kjo masakër përmendet si ngjarje që shënoi fillimin e pjesës më dramatike të luftës së Kosovës./KosovaPress