Autoriteti i Konkurrencës i Belgjikës ka hapur një hetim formal ndaj kompanisë Google për shkelje të mundshme të ligjit të konkurrencës në sektorin e reklamimit online. Autoriteti njoftoi se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për Konkurrencën ka gjetur “indikacione serioze” për shkelje të mundshme të rregullave që lidhen me abuzimin me pozitën dominuese ose varësinë ekonomike, pas ankesave mbi sjelljen e Google në reklamimin digjital. Hetimi, tashmë i nisur zyrtarisht, pason referime nga pjesëmarrës në treg që kanë shprehur shqetësime për rolin e Google në disa nivele të ekosistemit të reklamimit online. Autoriteti theksoi se Google operon në disa nivele të tregut të reklamave online, përfshirë si platformë për shitjen e hapësirës reklamuese dhe si ofrues shërbimesh për reklamuesit. Këto aktivitete e vendosin kompaninë në qendër të sistemit kompleks të ndërmjetësve që lehtësojnë vendosjen e reklamave digjitale. Hetimi do të vlerësojë nëse sjellja e Google në treg përbën ushtrim të padrejtë të fuqisë në treg ose krijon varësi të padrejtë tregtare, në shkelje të ligjit të konkurrencës. /AA/