Nga rrugët e Evropës deri te maja e Kilimanjaros dhe sfida e radhës në Australi, Arbert Lubeniqi e kthen lodhjen fizike në ndihmë për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë. Me formulën “1 euro për 1 kilometër”, ai dëshmon se diaspora është forcë që vepron, jo vetëm lidhje me vendlindjen. Kjo përkrahje mbërrin si pajisje, terapi dhe shpresë Me hapa që sfidojnë lodhjen, me ngjitje ku ajri pakësohet dhe me rrugë të gjata mbi dy rrota, Arbert Lubeniqi e ka kthyer lëvizjen fizike në mision humanitar. Ai nuk udhëton për të mbledhur përvoja personale, por për të hapur mundësi për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta në Kosovë. Nga Istogu, me një rrugë që e lidh me zemrën e Evropës, Arberti e mat solidaritetin jo me premtime, por me kilometra, djersë dhe ndihma konkrete që mbërrijnë edhe me kamionë. Një udhë që mori peshë dhe u kthye në mision Kur Arbert Lubeniqi u nis për në Gjermani, ishte vetëm 23 vjeç. Pas përfundimit të semestrit të gjashtë në Fakultetin e Makinerisë, ai mori një vendim të madh, jo të diktuar nga rrymat e zakonshme të migrimit, por nga një rrethanë personale që ia ndryshoi ritmin e jetës dhe i dha udhës një peshë tjetër. Kur njeriu e mëson herët sa e brishtë është jeta, e kupton edhe më shpejt pse solidariteti nuk duhet të mbetet fjalë. Larg vendlindjes, në qetësinë e rregullt të Kassel-it, Arberti filloi ta kthente mallin në motor veprimi. Nëse Gjermania i dha disiplinën dhe mundësitë, Istogu i mbeti busulla e vetme morale. Prej pesë vitesh, ai ka ndërtuar një formulë unike: çdo sfidë fizike, sado e pamundur të duket, duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi. Për Arbertin, çdo hap, çdo metër lartësi dhe çdo rrotullim i pedaleve është një mundësi më shumë për t’i dalë krah asaj kategorie që shpesh mbetet në harresë - fëmijëve që luftojnë me kufizimet fizike dhe familjeve që mbajnë mbi supe peshën e një izolimi të heshtur shoqëror. Pikërisht aty, larg vendlindjes, ai do ta kthente më vonë udhën në mision, jo thjesht si destinacion pune e jete, por si mënyrë për të sjellë ndihmë konkrete atje ku mungon më së shumti. Kassel-i i dha qetësinë e rendit dhe forcën e rutinës; Istogu i dha arsye. Në këtë mes, Arberti gjeti një mënyrë për ta kthyer mallin në veprim dhe rrugën në shpresë. Prej pesë vitesh, ai është i angazhuar në nisma humanitare që i ndërton mbi sfida të jashtëzakonshme fizike, ecje të gjata, çiklizëm në distanca të mëdha dhe ngjitje në lartësi që kërkojnë disiplinë të hekurt. Në thelb, Arberti e ka krijuar një formulë të thjeshtë, por tejet të fuqishme. Ta lidhë përpjekjen personale me një kontribut publik, që çdo hap, çdo kilometër, çdo metër lartësi të bëhet një arsye më shumë për t’i ndihmuar fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta në Kosovë. Dhe kjo kategori, shpesh, nuk vuan vetëm nga mungesa e mjeteve. Vuan edhe nga një lodhje e heshtur shoqërore, nga pengesat e përditshme, nga izolimi, nga pritja që zgjatet dhe nga realiteti kur mbetet në mëshirën e fatit, familjarëve dhe pak ndihmatarëve. Prandaj, në rrugëtimet e Arbertit, humanizmi nuk është slogan. Është përpjekje për ta kthyer vëmendjen te dinjiteti. 1,850 kilometra me biçikletë: sfida që i dha zë kauzës Nisma e parë e madhe që e vendosi Arbert Lubeniqin në vëmendje ishte udhëtimi Kassel–Tomoc (Istog), një rrugëtim prej 1,850 kilometrash me biçikletë, i realizuar në vitin 2023, brenda më shumë se 15 ditësh. Motoja ishte e qartë dhe e drejtpërdrejtë: “1 euro për 1 kilometër”, fonde për grupe në nevojë. Për 15 ditë rresht, ai e përshkoi distancën nën diell përvëlues e shi të papritur, me ritëm të lartë kilometrash dhe me lodhje që s’e fal rruga, por me një qëllim që e mbante të palëkundur. Kjo nuk ishte thjesht një garë me veten; ishte një maratonë shprese, ku çdo kilometër u kthye në thirrje për solidaritet. Në fund të këtij rrugëtimi, mobilizimi i njerëzve të vullnetit të mirë arriti të grumbullonte 14 mijë euroatin, Handikos në Istog, si dhe Shoqatën e Autizmit. Këto nuk mbetën thjesht shifra në një llogari, por u shndërruan në ndihmë të prekshme: pajisje ndihmëse, terapi dhe lehtësim real për ata që nuk mund të presin më gjatë. Për Arbertin, rruga mes Kassel-it dhe Istogut nuk ishte më vetëm gjeografi; u bë një urë e gjallë humanizmi, që lidh dy shtëpi dhe i jep kuptim çdo kilometri. Kilimanjaro, 5,895 metra: Ku lartësia takon dinjitetin Nga rrafshi i rrugëve evropiane, Arberti e zhvendosi betejën në majën më të lartë të Afrikës. Ngjitja në Mount Kilimanjaro, në 5,895 metra lartësi, ishte një përballje brutale me natyrën dhe veten. Aty ku oksigjeni rrallohet dhe çdo hap kërkon një vullnet të mbinatyrshëm, Arberti vendosi një tjetër parim: 1 euro për çdo metër lartësi. Për pesë ditë e net, mes të ftohtit therës dhe erërave të forta, ai eci drejt majës me mendjen te ata që në Kosovë çdo ditë ngjisin "malet" e tyre të vështirësive. Kur flamuri i Kosovës, Shqipërisë dhe shoqatës "Bamirësia" u valëvitën në majë, mesazhi ishte i qartë: asnjë lartësi nuk është e paarritshme kur motivi është dashuria për tjetrin. Kjo nismë arriti të mobilizonte 19 mijë euro, duke u shndërruar në një infuzion jetik për familjet që përballen me kosto të rënda rehabilitimi. Kassel-Prishtinë në këmbë: 45 ditë, 7 shtete, dhe një rrugë që u bë komunitet Sfida që e preku më shumë shpirtin e komunitetit ishte ecja 45-ditore nga Kassel-i në Prishtinë. Duke kaluar nëpër 7 shtete, Arbert Lubeniqi e përshkoi rrugën me një ritëm të jashtëzakonshëm, 38 deri në 42 kilometra në ditë, ndërsa rekordi i tij ditor arriti deri në 47 kilometra. Ajo që dukej si provë fizike, u kthye shpejt në provë karakteri. Sepse këmba e njeriut mund të mbërrijë kudo, kur zemra e shtyn përpara. Por ky nuk ishte udhëtim i vetmuar. Në segmente të ndryshme, pranë tij ishin miqtë dhe familjarët, herë me logjistikë e mjete, herë me bashkërrugëtim, duke e kthyer ecjen në ndjenjë bashkimi. Një prani e veçantë ishte edhe vajza e tij 19-vjeçare, e cila u bë dëshmitare e parë e sakrificës së të atit dhe e kuptimit që kjo rrugë kishte përtej kilometrave. Gjatë kësaj ecjeje ndodhi diçka e rrallë: njerëz të panjohur i bashkoheshin rrugës së tij, jo për fotografi, por për shoqëri dhe bisedë. Në disa shtete, disa prej tyre kanë ecur edhe deri në 20 kilometra, vetëm për ta takuar dhe për të kuptuar nga afër pse një njeri e merr mbi vete një rrugë kaq të gjatë dhe për kë po e bën atë. Arberti veçon si përjetim të veçantë Hainburgun në Austri, gjatë ngjitjes së një mali në vise ku, sipas kujtesës historike, dikur kanë qenë të banuara nga ilirët. Aty ai kërkoi një pllakë dhe e gjeti. Një detaj i vogël, por me domethënie të madhe. Kur ecën gjatë, jo rrallë nis të kërkosh edhe shenja që të lidhin me identitetin, me historinë, me atë që të mban gjallë. Në këtë udhëtim, ai takoi edhe shumë të rinj, krijoi miqësi të reja dhe dëshmoi se njerëzimi është ende i gjallë. Në aspektin psikik dhe emocional, një rrugëtim i gjatë të zhvesh nga zhurmat e panevojshme dhe ta përqendron te thelbësorja. Të mëson durimin, të lë përballë vetes dhe ta kthen vullnetin në disiplinë; e mbi të gjitha, ta forcon bindjen se njeriu bëhet më i fortë kur i jep kuptim lodhjes. Edhe këtu parimi mbeti i njëjtë: “1 euro për 1 kilometër.” Në fund të rrugëtimit, sipas përmbledhjes së përkrahjes së mobilizuar rreth kësaj nisme, u mblodhën 20 mijë euro, të cilat u shndërruan në ndihmë reale, në pajisje dhe mbështetje për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta, ata që shumë herë mbeten në mëshirën e fatit, familjarëve dhe pak ndihmatarëve. 5,200 kilometra në Australi: sfida e radhës, i njëjti mision Sytë e Arbertit tani janë drejtuar nga një tjetër kontinent. Sfida e radhës: 5,200 kilometra me biçikletë nëpër Australi, nga Brisbane drejt shkëmbit mistik të Uluru-së. Në atë shkretëtirë ku ngjyrat ndryshojnë me dritën e diellit, Arberti kërkon të ndryshojë fatin e fëmijëve me paralizë në vendlindje. Mbrëmje humanitare dhe ndihma me kamionë: humanizëm edhe jashtë sfidave Arberti nuk e lidh humanizmin vetëm me sfidat sportive. Ai organizon mbrëmje humanitare, tubime dhe aktivitete për të mobilizuar përkrahje. Ndër vite ka sjellë ndihma të mëdha nga shtete të ndryshme të Evropës, përfshirë dërgesa me kamionë me pajisje mjekësore dhe mjete të domosdoshme, që kanë përfunduar në Kosovë aty ku nevoja është më urgjente. Solidariteti, në këtë rast, nuk mbetet ide: bëhet transport, bëhet pajisje, bëhet mundësi. Përmes shoqatës “Bamirësia”, ai e ka strukturuar këtë angazhim edhe më shumë, duke u bërë një dorë e zgjatur e ndihmës aty ku institucionet shpesh vonojnë. Një thirrje që kërkon përgjigje Rrëfimi i Arbert Lubeniqit nuk është sukses individual, por një ftesë për bashkëpunim. Ai ecën, ngas biçikletën dhe ngjit male, ndërsa që këto kilometra të kthehen vërtet në shpresë, duhet edhe dora e të gjithëve ne. Arberti e ndërton urën, por mbi të kalon ndihma e donatorëve, bizneseve, familjarëve, miqve dhe njerëzve të vullnetit të mirë që e kanë përkrahur në çdo hap. Ky është edhe momenti për t’u bashkuar. Vullnetmirët dhe afaristët që duan të kontribuojnë mund ta kontaktojnë Arbert Lubeniqin personalisht dhe të ndihmojnë aty ku nevoja është më e madhe, në pajisje, rehabilitim dhe mbështetje për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta. Në thelb, kjo histori është më shumë se rrëfim për distanca dhe lartësi. Është dëshmi se vendosmëria personale mund të shndërrohet në dobi publike, se diaspora mund të mbetet urë e gjallë me vendlindjen dhe se solidariteti, kur është i sinqertë dhe i organizuar, nuk njeh kufij. Sepse, në rrugën e tij, kilometri nuk është vetëm numër. Është shpresë. Dhe pyetja që mbetet pezull për secilin prej nesh është e thjeshtë: nëse ai mund t’i bëjë mijëra kilometra për një kauzë, çfarë mund të bëjmë ne me një hap? /Telegrafi/