Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha se Izraeli ka sulmuar Iranin me qëllim, siç pretendojnë ata, për të eliminuar kërcënimet ndaj shtetit. Në mbarë Izraelin po bien sirenat e alarmit për rrezik ajror, ndërsa pritet një kundërsulm i menjëhershëm. Siç është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes, veprimi ushtarak është ndërmarrë për të neutralizuar kërcënimet e menjëhershme që i kanosen Izraelit, shkruan bbc. Për shkak të përshkallëzimit të shpejtë të situatës, Katz ka shpallur urgjentisht gjendje të veçantë të jashtëzakonshme në nivel të gjithë shtetit. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm (Home Front Command) dhe të qëndrojnë në zona të sigurta dhe të mbrojtura, përkatësisht në strehimore, deri në njoftimin e radhës. Shërbimet izraelite të inteligjencës dhe ato ushtarake vlerësojnë se në një afat shumë të shkurtër pritet një kundërsulm masiv ndaj Izraelit, i cili mund të përfshijë tufa dronësh dhe raketa balistike. Nëpër qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri. Ndërkohë, burime nga terreni raportojnë se në kryeqytetin e Iranit, Teheran, po dëgjohen shpërthime të fuqishme, çka tregon se goditjet izraelite në territorin iranian tashmë janë në zhvillim. /Telegrafi/