Mitrovica International Jazz Days sjell Snarky Puppy në koncert ekskluziv në Ballkanin Perëndimor

Mitrovica do të jetë mikpritëse e një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit 2026. Fituesit e pesëfishtë të çmimeve GRAMMY, Snarky Puppy, do të performojnë live në kuadër të festivalit Mitrovica International Jazz Days, në koncertin e tyre të vetëm në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Turit Evropian 2026. Lajmin e ka bërë të ditur organizatorja e festivalit, njëherësh këngëtarja e njohur shqiptare, Rona Nishliu, e cila ka ndarë entuziazmin për ardhjen e një prej formacioneve më inovative të skenës moderne të jazz-it. E njohur për energjinë shpërthyese në skenë dhe virtuozitetin instrumental, Snarky Puppy ka krijuar një identitet unik që ndërthur jazz-in, funk-un, rock-un dhe elemente të muzikës botërore. Nga interpretimi legjendar i “Lingus”, që u bë viral për solo-n ikonike të tastierës, deri te projektet më eksperimentale, grupi ka arritur të rishkruajë kufijtë e jazz-it modern. Në vitin 2025, ata publikuan albumin orkestral “Somni”, një projekt ambicioz i realizuar në bashkëpunim me Metropole Orkest, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë e tyre për të eksploruar territore të reja muzikore dhe për të sfiduar pritshmëritë e publikut. Koncerti në Mitrovicë pritet të jetë një eksperiencë elektrizuese për adhuruesit e muzikës live, duke e shndërruar qytetin në një pikëtakim të rëndësishëm për skenën e jazz-it në rajon. Me këtë emër të madh në program, Mitrovica International Jazz Days konfirmon ambicien për ta vendosur Kosovën në hartën e festivaleve prestigjioze evropiane të muzikës. /Telegrafi/