Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit do të kenë pasoja afatgjata në skenën politike botërore. Ai theksoi se Serbia duhet të ruajë paqen dhe pavarësinë, por njëkohësisht të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse. Vuçiq bëri një paralele mes ngjarjeve në Iran dhe ndërhyrjes së NATO-s në Serbi në vitin 1999, ku shteti serb po kryente gjenocid. Ai vlerësoi se konflikti në Lindjen e Mesme nuk është i papritur dhe se, sipas tij, është përgatitur prej kohësh. Minutë pas minute: Izraeli dhe SHBA-të sulmojnë Iranin, përgjigjet Teherani - gjithçka që po ndodh “Nuk ishte i papritur. Nuk mendoj se ka filluar Lufta e Tretë Botërore, por nuk mendoj as se kjo do të përfundojë brenda një dite”, deklaroi ai. Shtoi se nuk beson që Irani, pavarësisht luftës, ka shumë gjasa ta mbrojë vendin dhe territorin e tij. Vuçiq konsideron se beteja kryesore do të zhvillohet rreth ndryshimit të pushtetit në Iran dhe bëri një paralele me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe ndryshimet politike që pasuan në Serbi, shkruan index.hr. “E gjithë kjo po realizohet siç ishte edhe në Serbi. Gjatë gjithë kohës gënjenin se bëhej fjalë për një katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte rrëzimi i regjimit në Beograd dhe fitimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, këtu bëhet fjalë për një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran”, tha ai. Sipas tij, një ndryshim i mundshëm i pushtetit në Teheran do të nënkuptonte një riorganizim të ri gjeopolitik. “Synohet rrëzimi i plotë i Hameneit, synohet heqja e kreut të udhëheqësit iranian dhe më pas vendosja e një llogarie ekonomike që do t’i shkojë për shtat fuqisë më të madhe në botë”, tha presidenti i Serbisë. Tragjedi në jug të Iranit - raketa godet shkollën dhe vret 40 nxënëse “Nuk besoj se Trump është i entuziazmuar me Reza Pahlavin, por ai dëshiron ish-kryetarin e bashkisë së Teheranit, një lloj Delcy Rodriguez iraniane. Një pion të bindur që do të bëjë gjithçka që i thuhet. Kjo është një epokë e re, para disa ditësh nuk mund ta imagjinonit që Venezuela do të bëhej një marionetë e SHBA-së”, tha ai. Vuçiq theksoi se pasojat politike do të jenë të mëdha, jo vetëm për rajonin e Gjirit, por për mbarë botën. “Kjo e ngushton dhe e zvogëlon hapësirën manovruese edhe për Kinën, ndërsa Rusia, pas humbjes së ndikimit në Siri, Nikaragua, Venezuelë, Armeni dhe Azerbajxhan, humbet edhe një mik tjetër. Situata në qiellin botëror po bëhet shumë më e qartë”, tha ai. Vuçiq përfundoi se Serbia duhet të kuptojë “mesazhet e të fuqishmëve” dhe të ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj. /Telegrafi/