Ky aplikacion zbulon kamerat e fshehta!

Një aplikacion i ri i quajtur Nearby Glasses është bërë hit te përdoruesit që shqetësohen për privatësinë e tyre. Ai është krijuar si përgjigje ndaj rritjes së përdorimit të syzeve inteligjente Meta Ray‑Ban dhe dërgon një njoftim të menjëhershëm në telefonin tuaj sa herë që zbulon një pajisje regjistrimi afër jush. Autor i aplikacionit, Yves Jeanrenaud, thotë se ky është kontributi i tij për të luftuar teknologjitë e përhapura të mbikëqyrjes. Aplikacioni skanon sinjalin unik Bluetooth që dërgojnë syzet inteligjente kur janë aktive. Sapo dikush me një pajisje të tillë hyn në rrethin tuaj, ju merrni një njoftim (push notification) që ju paralajmëron se mund të jeni nën regjistrim. Zhvilluesi pranon se mund të ketë gabime (p.sh. të njohë edhe pajisje të tjera si syzet VR), por ky është një nga mjetet e para konkrete për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm në hapësirat publike. Frika nga syzet inteligjente është rritur pasi u përhap lajmi se Meta planifikon të fusë teknologji të njohjes së fytyrës në modelet e tyre. Gjithashtu, OpenAI thuhet se po punon në syze inteligjente të veta, që mund të rrisin ndjeshëm rreziqet e privatësisë në vendet publike. Aplikacioni Nearby Glasses është aktualisht në dispozicion në Google Play dhe në GitHub, dhe u mundëson përdoruesve që të rikthejnë kontrollin mbi hapësirën e tyre personale. Kjo aplikacion paraqet një formë të vogël, por të rëndësishme të rezistencës kundër gjigantëve të teknologjisë që po normalizojnë regjistrimin pa pëlqim. Ndërsa kompanitë pretendojnë se pajisjet e tyre kanë indikatorë që tregojnë kur po regjistrojnë, në praktikë këta indikatorë mund të fshihen apo të injorohen lehtësisht. Me ndihmën e këtij aplikacioni, përdoruesit mund të kenë një mburojë digjitale kundër kamerave të padukshme. /Telegrafi/