Propozimi i përbashkët i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për “integrim të kufizuar” në BE po vlerësohet si një ide jo e re. Megjithatë, profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj, theksoi se ky modalitet mund të jetë i realizueshëm, por se BE-ja duhet të ndjekë politikën e anëtarësimit në pako, përfshirë Kosovën. Në një shkrim të përbashkët për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, propozuan një anëtarësim të kufizuar të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Duke përmendur shqetësimet e shteteve anëtare të BE-së, Rama dhe Vuçiq theksuan se zgjerimi i është në interesin e të gjithëve. Ata propozojnë një anëtarësim të përshpejtuar për të përfituar nga integrimi i plotë në tregun e përbashkët të BE-së dhe zonën “Schengen”, por duke u pajtuar që si anëtarë të rinj të mos kenë të drejtë vetoje dhe kufizime në përfaqësim. Teksa tha se nuk është diçka e re, profesori i diplomacisë dhe eksperti i negocimit, Valon Murtezaj, sqaroi se, krahas zgjerimit, kjo lidhet me idenë e BE-së për një mekanizëm vetëmbrojtës. Pasi vlerësoi se BE-ja aktualisht vuan nga abuzimi me veton dhe vendimmarrja e ngadaltë, profesori përmendi një element që, sipas tij, e bën vështirë të kuptueshme letrën e përbashkët Rama – Vuçiq. “Shqipëria është shumë pro-evropian ndërsa Serbia është vendi më anti-evropian në Evropë. Dhe të bërë bashkë nuk e di se si do të jetë impakti real. Sidoqoftë, nga ajo çfarë shohim në zhvillimet e gjithmbarshme edhe në Bashkimin Evropian, por edhe si aktor global, Bashkimi Evropian dëshiron që mos të ketë situata kur një vend e sfidon vendimmarrjen”, ka thënë Valon Murtezaj, Profesor i diplomacisë dhe ekspert i negocimit. Ai tha se ky modalitet mund të jetë i zbatueshëm, por shtoi qasja e BE-së duhet të jetë për anëtarësim në pako, përfshirë Kosovën. “Çështja e dytë është integrimi shumë i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe deri te Ukraina, ndoshta përfshirë Ukrainën. Dhe, aspekti i tretë, më i veçantë në raport me Kosovën, BE-ja e tregon veten si aktor global kur pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë kapacitet për ta njohur Kosovën si vend të pavarur. Aty janë shkëndijat e para që Evropa po bëhet aktor global dhe serioz, krah për krah me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Valon Murtezaj, Profesor i diplomacisë dhe ekspert i negocimit. Sido që të jetë, ende nuk ka një qartësi në qëndrim brenda bllokut 27 anëtarësh për këtë formë eventuale të një anëtarësimi “të kufizuar”.