Hormonet natën nuk janë në anën tuaj: melatonina rritet, ndërsa testosteroni e kortizoli bien Michael thotë se në atë kohë të natës trupi, natyrshëm, nuk ka një profil hormonal ideal. Në vend të kësaj, ai thotë se koha më e mirë për marrëdhënie seksuale me partnerin është në orët e mëngjesit, sepse nivelet e hormoneve, si estrogjeni, testosteroni dhe kortizoli, janë më të larta, ndërsa melatonina më e ulët. “Shumica e njerëzve janë intimë mes orës 22.30 dhe 23.30, këtë e tregoi anketa që kemi realizuar. Ajo që është interesante është se profili juaj hormonal në 23.30 nuk është edhe aq i mirë për seks. Që seksi të jetë i kënaqshëm, dëshironi që estrogjeni, testosteroni, progesteroni, adrenalina dhe kortizoli të jenë të larta, ndërsa melatonina e ulët”, tha ai në podkastin “Diary of a CEO”, duke shtuar: “E si mendoni se duken hormonet tuaja në 23.30 të mbrëmjes? Fjalë për fjalë janë e kundërta: melatonina është e lartë, ndërsa gjithçka tjetër e ulët”, transmeton Telegrafi. “Mëngjesi është koha e përkryer për intimitet” Michael bëri shaka se më së miri është që fillimisht “t’i lani dhëmbët dhe të përdorni pak shpëlarës goje”, por përfundoi se kjo është “koha e përkryer” për intimitet. Një studim i vitit 2005, i zhvilluar mes studentëve, tregoi se shumica bëjnë seks mes orës 23 dhe 1 pas mesnate. Ata sugjeruan se natën “ndihen më seksualë”. Kur bëhet fjalë për çiftet më të pjekura, një sërë rrethanash ndikojnë në marrëdhëniet seksuale të tyre – puna, jeta familjare dhe “disponueshmëria e partnerit”. Shkencëtarët përfunduan: “Edhe pse të rriturit mund të gjejnë mundësi për seks në çdo kohë të ditës, shumica e takimeve seksuale ndodhin rreth kohës së shtrirjes për të fjetur (nga ora 23 deri në 1 pas mesnate). Një kulm më i vogël i aktivitetit seksual shfaqet edhe rreth kohës së zgjimit.” /Telegrafi/