Dy raste të ndara të lëndimeve trupore janë raportuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe pas mesnatës në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut, ku viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa policia ka ndërmarrë veprime ndaj të dyshuarve. Sipas njoftimeve zyrtare, rasti i parë ka ndodhur në Leposaviq më 28 shkurt 2026, rreth orës 01:20. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy persona të dyshuar, meshkuj dhe shtetas të Serbisë. Pas incidentit, viktima ka pranuar tretman mjekësor. Të dyshuarit janë arrestuar nga policia dhe, pas intervistimit me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, një rast tjetër i “lëndimit të lehtë trupor” është raportuar në Mitrovicë të Veriut më 27 shkurt 2026, rreth orës 22:40. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga katër persona të panjohur. Ai ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori kompetent. Policia ka bërë të ditur se rasti në Mitrovicë të Veriut po hetohet nga njësitet përkatëse policore dhe po ndërmerren veprime për identifikimin e të dyshuarve. /Telegrafi/