Federata e Karatesë së Kosovës po përgatitet për ngjarjen kryesore vendore të vitit, Kampionatin Shtetëror për Seniorë, që do të mbahet më 7 mars, por përgatitjet po zhvillohen nën hijen e një pasigurie financiare. Pavarësisht se është kategorizuar si një ndër federatat më të suksesshme në vend, ekziston frika se Ministria e Rinisë dhe Sportit, mund të ulë mbështetjen financiare, një veprim që do të rrezikonte planet dhe aktivitetet e federatës për vitin 2025. Kampionati i 7 marsit konsiderohet si ngjarje kyçe, pasi, siç bënë të ditur për KosovaPress, sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi, do të shërbejë për të përzgjedhur ekipin kombëtar që do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian në Frankfurt të Gjermanisë. “Kampionati për seniorë është kyç, është kampionati kryesor që e mban Federata e Karatesë dhe po besoj që të gjithë sportistët seniorë që i kemi nëpër klube do të jenë pjesëmarrës aty. Do të jetë një pasqyrë e mirë për seleksionuesit që nga këta seniorë, nga ky kualitet që e kemi, ta bëjnë përzgjedhjen pastaj për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në maj në Frankfurt të Gjermanisë, Kampionati Evropian për seniorë. Për ata është e rëndësisë së veçantë për shkak se forma e sportistëve do të shihet cila është para Kampionatit Evropian”, bën të ditur fillimisht Gashi. Gashi bëri të ditur se në këtë kampionat do të marrin pjesë karateistët elitarë të të gjithë vendit. “Këtu nuk ka përjashtim. Këtu do të marrin pjesë të gjithë. Edhe Islami, edhe Betimi si medalist evropian nga viti i kaluar, të gjithë do të marrin pjesë dhe do të jetë një ngjarje me të vërtetë e madhe sportive për sportin e karatesë. Presim që realisht, ky vit të jetë po aq i suksesshëm sa vitin që vjen. Ndoshta me e tejkaluar nuk mundim se kampionat të seniorëve në botëror të seniorëve nuk kemi ne këtë vit. E kem çdo dy vjet kampionatin e seniorëve. Mirëpo, shpresojmë që këtë vit në Frankfurt në Gjermani të kualifikohemi me ekipore, me njërën nga ekiporet, qoftë vajzat, qoftë djemtë”, theksoi tutje Gashi. Së fundmi, Federata e Karatesë u vlerësua lart nga Ministria e Sportit, duke u renditur në Kategorinë A dhe si federata e dytë më e suksesshme në vend, pas asaj të xhudos. Ky vlerësim pritej të sillte një rritje të buxhetit, por situata duket se ka marrë një kthesë të papritur. Gashi thotë se ka informacione të pakonfirmuara se vlera financiare për pikët e fituara nga federatat gjatë kategorizimit mund të zvogëlohet. Aktualisht, një pikë vlerësohet me 3,000 euro, por ekziston shqetësimi se kjo shumë mund të ulet. Një hap i tillë do të përkthehej në një ulje direkte të buxhetit vjetor, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera. “Ne jemi shumë të kënaqur, shumë të gëzuar që jemi në kategorinë A. Po besoj që do të rritet më shumë mbështetja financiare, për shkak se këtë vit jemi të kategorizuar shumë më mirë, kemi pikë më shumë dhe po shpresoj që pikat, ashtu siç kanë qenë vitin e kaluar, ne na ngjallin një shpresë të një rritje të buxhetit në këtë drejtim. Dhe po shpresojmë së pari që është shpërndarë disa informata që do të ketë ulje të masës ose ulje të nivelit të pagesës për pikë. Shpresoj kjo mos të ndodhë, për shkak se ne jemi në prag të Lojërave Mesdhetare, jemi ekipet duke i konsoliduar, jemi ekipet duke i përgatitur. Ne jemi vonë me këtë proces realisht dhe në qoftë se ndikon ulja e pikëve, është ulje e parasë dhe në qoftë se na ulen paratë, ne do të duhet detyrimisht që t'i zvogëlojmë aktivitetet, t'i zvogëlojmë ekipet, ta zvogëlojmë mbështetjen dhe kjo do të ndikojë direkt në zhvillimin e ekipit edhe për Lojërat Mesdhetare që do të jenë këtu”, u shpreh i shqetësuar Gashi. Nga Federata e Karatesë i është bërë apel ministrit të ri që jo vetëm të mos e ulë vlerën e pikës, por ta rrisë atë, në mënyrë që të mbështesë përgatitjet për ngjarje të mëdha ndërkombëtare si Lojërat Mesdhetare. “Sipas informacioneve të pakonfirmuara po pritet që nga 3000 euro që ka qenë pika të zvogëlohet. E shpresoj që të mos jetë ashtu, sidomos mos të jetë për sportet që janë në kategorinë A. Për shkak se sportet që janë në kategorinë A, të gjitha janë sporte, për atë janë në kategorinë A, që kanë zhvilluar shumë aktivitete, që kanë shumë punë edhe që kanë arritur me i marrë edhe të hyrat që i ka pasur të planifikuar edhe MKRS-ja. Madje, unë i kisha bërë thirrje nga ministri i ri që ta shtojë vlerën e pikës. Mos ta lë në 3000 euro, ta shtojë vlerën e pikës, për shkak se do të na ndihmonte shumë që ne t'i përgatisnim ekipet më mirë, më shumë për përfaqësim të dinjitetshëm ndërkombëtar”, deklaroi Gashi. Një shkurtim buxhetor, Gashi thotë se do të detyronte federatën të zvogëlonte aktivitetet, numrin e sportistëve në gara ndërkombëtare dhe do të ndikonte negativisht në zhvillimin e sportit. Kjo situatë e lë sportin e karatesë mes planifikimeve për suksese të reja dhe pasigurisë për mbështetjen financiare që mund të cenojë të gjithë punën e bërë.