Ish-futbollisti i Interit tregon tmerrin pas sulmeve të Iranit dhe mbetet i bllokuar: Kisha për të udhëtuar drejt Italisë

Ish-lojtari i kombëtares italiane dhe i Interit, Torinos dhe Monzës, Danilo D’Ambrosio, është aktualisht i bllokuar në Dubai pas një sulmi me dron që goditi qytetin. Sipas mediave italiane, disa raketa goditën hotele luksoze në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe situata u përkeqësua gjatë natës. D’Ambrosio planifikonte të udhëtonte drejt Italisë sot, por aeroporti është i mbyllur, duke e detyruar të qëndrojë i bllokuar me familjen e tij. Futbollisti foli me programin Sky Sport për momentet shqetësuese që përjetoi: “Ne ikëm në shtëpinë e një shoku, sepse na këshilluan të mos qëndronim në ndërtesa të caktuara. Deri para pak orësh, situata ishte mjaft e qetë, pastaj erdhi alarmi dhe ne zbritëm në bodrum. Duhet të niseshim nesër, por aeroporti është i mbyllur. Nuk ka panik të plotë, kemi qenë në këtë bodrum për disa orë, por sigurisht që nuk është një situatë e lehtë, veçanërisht për ata që nuk janë mësuar me rrethana të tilla", deklaroi ish-futbollisti italian. D’Ambrosio tregoi gjithashtu se simboli i Dubait, hoteli luksoz Burj Al Arab (i njohur edhe si Sail), u godit nga një dron. Ai shtoi: “Është ora dy e mëngjesit dhe ne jemi ende këtu, pa asnjë mënyrë për të dalë". Ky incident vjen në një kohë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku Irani po përballet me sulme nga SHBA-të dhe Izraeli, duke përshkallëzuar shqetësimet për sigurinë në rajon. /Telegrafi/