Nga: Michael Goodwin / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com Në fillim të janarit, presidenti Trump paralajmëroi qeverinë islamiste të Iranit se, nëse do të vriste civilët paqësorë të cilët protestonin kundër kolapsit të ekonomisë, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vijnë në ndihmë”. Në një postim në Truth Social , ai deklaroi: “Jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të vepruar”. Disa ditë më vonë, kur u bë e qartë se autoritetet dhe bashkëpunëtorët e tyre po masakronin mijëra protestues të paarmatosur, Trumpi dha një paralajmërim tjetër - dhe një premtim. Pasi u bëri thirrje “patriotëve iranianë” të vazhdonin protestat dhe “të ruanin emrat e vrasësve dhe keqbërësve, se “ata do të paguajnë çmimin e madh”, ai shtoi duke paralajmëruar: “Ndihma është rrugës.” Kjo ndihmë mbërriti të shtunën në formën e një sulmi të përbashkët masiv amerikano-izraelit, që shkatërroi kapacitetet ushtarake të Iranit dhe ia preu kokën udhëheqjes së tij të pamëshirshme. Premtime të mbajtura Vdekja e Ajatollah Khameneit e bën menjëherë Iranin dhe të gjithë Lindjen e Mesme një vend më të mirë dhe më të sigurt. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit dhe sinjalet e shumta nga Shtëpia e Bardhë, vetëm koha dhe shtrirja jashtëzakonisht e gjerë e operacionit ushtarak ishin befasuese. Presidenti e kishte bërë tepër të qartë, për këdo që donte të dëgjonte, se status quo -ja ishte e papranueshme dhe se ai ishte i përgatitur të vepronte me forcë dërrmuese. Ose udhëheqësit iranianë do të ndryshonin mënyrat e tyre djallëzore, ose ShBA-ja dhe Izraeli do ta bënin këtë për ta. Premtime të dhëna, premtime të mbajtura. Duke mbajtur pothuajse pushtet absolut për gati 50 vjet, që nga revolucioni islamist që rrëzoi Shahun, represioni i regjimit me tipare kulti brenda vendit, dhe përdorimi i grupeve vrasëse përmes ndërmjetësve jashtë vendit, ishin anakronizma në një rajon që po modernizonte kulturat dhe ekonomitë e veta. Marrëveshjet e Abrahamit, të hartuara gjatë mandatit të parë të Trumpit, pasqyronin një dëshirë të gjerë për paqe dhe përparim si mes hebrenjve ashtu edhe mes myslimanëve. Duke zbuluar shthurjen e tyre, Irani dhe agjentët e tij vrastarë u zotuan të ndalonin marshimin drejt një paqeje begatuese. Ajatollahu mesianik i pa marrëveshjet si kërcënim dhe refuzoi të lëshonte qoftë edhe një pëllëmbë nga pushteti i tij mbytës apo të frenonte oreksin për dominim. E meta e tij - që rezultoi fatale - ishte bindja se Irani dhe grupet e tij të etura për gjak ishin të destinuara të pushtonin si Izraelin, Satanin e vogël, ashtu edhe Amerikën, Satanin e madh. Sulmet e qershorit si provë e përgjithshme Ai dhe paraardhësi i tij ia dolën të shpëtonin nga ndëshkimi për veprat e tyre të liga falë disa presidentëve amerikanë dhe kryeministrave izraelitë që ishin të lëkundshëm. Kjo lojë arriti aktin përfundimtar të përplasjes vetëm sepse Trumpi dhe Benjamin Netanyahu kishin vendosmërinë për të përfunduar makthin totalitar. Në këtë proces, ata kanë çliruar 90 milionë iranianë. Prova e përgjithshme e aleancës së tyre historike ndodhi qershorin e kaluar, kur Forcat Ajrore të Amerikës përdorën bomba që shkatërrojnë bunkerë, që u nisën nga Nebraska, për të asgjësuar tri objektet kryesore bërthamore të Iranit, ndërsa shteti hebraik shkatërroi arsenalin e regjimit të raketave dhe mbrojtjes raketore. Ishte, siç thuhet, një moment për mësim, por mullahët refuzuan të dëgjonin dhe të mësonin. Edhe më pas, Trumpi i dha Ajatollahut dhe ekipit të tij të çmendur mjaft mundësi për të zgjedhur paqen. Ai i ftoi në një raund të ri negociatash dhe dërgoi të dërguarin e lartë, Steve Witkoff, si edhe Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit, në takime në Evropë dhe në Lindjen e Mesme të cilat synonin çmontimin vullnetar të projektit bërthamor. Gjatë gjithë kohës, Trumpi këmbëngulte se ky ishte shansi i fundit dhe më i mirë i Iranit për një tranzicion paqësor. Por, mullahët nuk mundën kurrë të thoshin “po”. Pasi kishin joshur presidentë e mëparshëm dhe liderë evropianë në negociata të pafundme të cilat gjithmonë përfundonin shumë larg një marrëveshjeje të pranueshme, ata nuk shihnin asnjë arsye bindëse për të ndryshuar tani. Ajatollahu dhe ekipi i tij mbase besonin se Trumpi, ashtu si paraardhësit e tij, përfundimisht do të pranonin kushte modeste, të cilave iranianët nuk kishin ndërmend t’u përmbaheshin kurrë. Si masë sigurie, ata autorizuan ato që dukeshin si disa kontrata për vrasjen e Trumpit. Në janar, ndërsa negociatat për një marrëveshje bërthamore vazhdonin, Irani e provokoi presidentin duke transmetuar një fotografi të tij pasi ishte plagosur në një atentat në vitin 2024, gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani. Në ekran u shfaqën fjalët: “Këtë herë nuk do ta humbasë shënjestrën”. Mesazhi kërcënues u përhap në raportimet e mediave qeveritare dhe në televizionin shtetëror. Kjo është një sjellje gangsterësh, jo e një qeverie legjitime, dhe provokimi pasqyroi një vlerësim shumë të gabuar që tani i kushtoi ajatollahut me jetë dhe regjimit me ekzistencë. Refuzimi i sundimtarëve të Iranit për të hequr dorë nga synimi për dominim rajonal përbënte një akt çmendurie që i afrohej vetëvrasjes. Ndërsa dëshira vetëshkatërruese e regjimit po realizohej, ai ndërmori sulmet e fundit dëshpëruese ndaj gjashtë shteteve arabe - Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Arabisë Saudite, Omanit dhe Katarit - të cilat strehojnë trupa ose baza amerikane. Grumbullimi i forcave nuk ishte sekret Sulmet vulosën izolimin e plotë të Iranit, madje edhe mes sundimtarëve të tjerë myslimanë. Nuk do të ishte e saktë të thuhej se Trump u përfshi në këtë moment pa ndonjë plan. Përkundrazi, gjatë mandatit të tij të parë ai i tregoi vetes dhe botës se modeli iranian i terrorit dhe luftës asimetrike mund të mposhtej me planifikim dhe veprim të guximshëm. Duke eliminuar me sulm me dron Qasem Soleimanin, gjeneralin iranian që ishte tregtar i vdekjes, i cili kishte kontribuar në vrasjen dhe plagosjen e shumë trupave amerikane në Irak, Trumpi tregoi se ishte një sherif i ri në qytet. Fatkeqësisht, Joe Bideni iu rikthye planit të gabuar të Barack Obamas për t’i joshur dhe përkëdhelur iranianët, me qëllim përfshirjen e tyre në komunitetin ndërkombëtar. Kur kjo dështoi, siç pritej, Trumpi mori detyrën i përcaktuar për ta përfunduar punën që kishte nisur. Dyshoj se ai kishte shumë besim se negociatat do të kishin sukses, por edhe kritiku më i ashpër nuk mund të mohojë se ai ua dha atyre çdo mundësi të mundshme. Vetëm kur u bë e qartë se bisedimet nuk po çonin askund, ai urdhëroi një grumbullim masiv ushtarak në rajon, përfshirë armadën. Sistemet Patriot u dërguan në bazat tona ushtarake në Irak për të siguruar mbrojtje kundër raketave dhe dronëve. Ndër elementët kryesorë të rritjes së fuqisë goditëse ishte vendimi i presidentit për të shtuar një grup të dytë aeroplanmbajtëseve. Me USS Abraham Lincoln -in tashmë të pranishëm atje, ai dërgoi USS Gerald R. Ford -in, aeroplanmbajtësen më të madhe dhe më të avancuar në botë. I pyetur nga një gazetar dy javë më parë se pse po vepronte kështu, Trumpi u përgjigj: “Në rast se nuk arrijmë një marrëveshje, do të na duhet” një fuqi më e madhe zjarri. Po atë ditë, presidenti për herë të parë mirëpriti idenë e ndryshimit të regjimit. “Epo, duket sikur kjo do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte”, tha ai. “Prej 47 vjetëve, ata vetëm flasin dhe flasin dhe flasin”. Ndërkohë, refuzimi i Iranit për të bërë lëshime domethënëse, kombinuar me lëvizjet ushtarake të presidentit, krijoi ndjesinë se çështja nuk ishte nëse ai do të jepte urdhrin për sulm, por kur. Por, deri të enjten e kaluar, Witkoffi dhe Kushneri u takuan me zyrtarë iranianë në Gjenevë, ku një seancë gjashtorëshe prodhoi vetëm një marrëveshje për të zhvilluar takime të tjera. “Nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si po negociojnë”, tha Trumpi më pas. “Nuk jam i lumtur për faktin që ata nuk janë të gatshëm të na japin atë që duhet patjetër të kemi”, shtoi ai, duke iu referuar një zotimi për të hequr dorë nga synimi për armë bërthamore. “Do të ishte e mrekullueshme nëse do të negocionin me të vërtetë, me ndërgjegje dhe me mirëbesim”, tha ai. “Deri tani nuk po arrijnë aty”. Ata i patën mundësitë e veta. /Telegrafi/