Ballkani është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur Drenicën me rezultat minimal 1-0. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me Ballkanin që krijoi shumë raste të mira shënimi në pjesën e parë. Suharekasit bënë tetë gjuajtje në portën e mysafirëve, por Kenan Haxhihamza ishte fantastik duke bërë pritje të jashtëzakonshme. Gjithsesi 45 minutat e para u mbyllën ashtu siç filluan, me rezultatin baras 0-0. Në pjesën e dytë, mysafirët krijuan më shumë nga loja, por pa arritur të gjenin golin. E në minutën e 78-të, vendasit gjetën golin e epërsisë kur braziliani Giovanni Ribeiro u gjend bukur në zonë dhe realizoi për 1-0. Me këtë fitore Ballkani rikthehet në krye të tabelës me 39 pikë, një më shumë se Drita që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, derisa Drenica mbetet e fundit me vetëm 21 pikë. Ndeshjen e ardhshme Ballkani e luan në udhëtim te Llapi, derisa Drenica para adhuruesve të vet pret Dukagjinin. /Telegrafi/