Drama e ish-sulmuesit të Barcelonës: Më zbritën nga aeroplani në Iran, u largova me makinë drejt Turqisë

Munir El Haddadi përjetoi orë të tëra tensioni ekstrem në Iran, pasi ishte gati të largohej me aeroplan, por një urdhër i minutës së fundit detyroi evakuimin e fluturimit dhe ndryshimin total të planeve të tij. Ish-sulmuesi i Barcelonës, që gjatë karrierës ka veshur edhe fanellat e Valencia, Getafe, Sevilla, UD Las Palmas, Leganés dhe Deportivo Alaves, arriti të largohej nga Irani pas sulmeve të nisura nga United States dhe Israel ndaj objektivave të ndryshëm në rajon. Sipas raportimit të Marca, 30-vjeçari spanjollo-maroken përjetoi një situatë dramatike. Ai ndodhej në aeroplan, gati për t’u nisur së bashku me Ivan Sanchez, kur në momentin e fundit erdhi një urdhër për evakuim për shkak të alarmit për një sulm ajror. Të gjithë pasagjerët u detyruan të zbrisnin dhe fluturimi u anulua. El Haddadi luan te skuadra Esteghlal FC së bashku me reprezentuesin shqiptar Jasir Asani. Jasir Asani dhe Munnir El Haddadi Pa pasur mundësi të prisnin, ata improvizuan një zgjidhje tjetër. Klubi i siguroi një shofer dhe Munirit iu desh të udhëtonte plot 16 orë me makinë për të arritur në kufirin me Turqinë. Burime pranë lojtarit e përshkruan situatën si “çmenduri”. Aktualisht, futbollisti ndodhet në Turqi dhe pritet të kthehet në Spanjë në orët në vijim. Ndërkohë, liga iraniane është pezulluar dhe e ardhmja sportive në vend mbetet e pasigurt. Vetë Munir reagoi përmes një mesazhi publik: “Dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet dhe shqetësimin e tyre në lidhje me situatën time në Iran. Dje plani ishte të largoheshim nga vendi me aeroplan, por u evakuuam dhe nuk mundëm të niseshim. Klubi më siguroi një makinë që të mund të largohesha nga vendi me rrugë tokësore dhe, falë kësaj, arrita të kaloja kufirin pa probleme. Aktualisht jam i sigurt në Turqi dhe do të mbërrij në Spanjë brenda pak orëve të ardhshme", tha ish-sulmuesi i Barcelonës. /Telegrafi/