Robert Lewandowski nuk do të jetë në dispozicion të Barcelonës në përpjekjen për të përmbysur disavantazhin 4-0 ndaj Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Copa del Rey. Sulmuesi 37-vjeçar është jashtë për shkak të një dëmtimi dhe do të mungojë në sfidën e së martës në orën 21:00 në “Spotify Camp Nou”. Klubi katalanas konfirmoi lajmin me një deklaratë zyrtare: “Lewandowski pësoi një traumë në ndeshjen e djeshme kundër Villarrealit. Testet e kryera sot diagnostikuan një frakturë kocke në anën e brendshme të zgavrës së syrit të majtë. Lojtari do të humbasë ndeshjen e së martës kundër Atlético de Madrid”, thuhet në njoftimin e klubit katalunas. Lëndimi ndodhi në minutën e 88-të të takimit ndaj Villarrealit, kur fytyra e tij u përplas me shpatullën e mbrojtësit Pau Navarro. Lewandowski ndjeu menjëherë dhimbje rreth syrit, por arriti të vazhdojë lojën dhe madje shënoi golin e katërt në portën e zbrazët pas asistimit të Jules Kounde. Polaku i bashkohet listës së mungesave ku përfshihen i pezulluari Eric García, si dhe të dëmtuarit Frenkie de Jong, Andreas Christensen dhe Gavi. Me Barcelonën që ka nevojë për një përmbysje të madhe për të siguruar finalen e Kupës së Mbretit, mungesa e Lewandowskit është një goditje e rëndë për trajnerin Hansi Flick, i cili aktualisht ka vetëm Ferran Torres si sulmues qendror në dispozicion. /Telegrafi/