"Murat Jashari ka thënë jo" - Deda thotë se loja me çështjen e presidentit është tallje me Kosovën

Ish-deputeti dhe analisti Ilir Deda ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar gjithë zhvillimin si “tallje me Kosovën”. Përmes një reagimi publik, Deda ka kundërshtuar idenë e përmendjes së emrit të Murat Jashari si figurë e mundshme unifikuese për president, duke theksuar se ai tashmë e ka refuzuar këtë mundësi. “Së pari, Murat Jashari ka thënë jo të prerë në lidhje me pozitën e presidentit”, ka shkruar Deda. Ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po zhvillohet procesi politik, duke theksuar se nuk mund të ndërtohet një proces për “figurë konsensuale” vetëm mbi një emër të përveçëm, pa miratimin paraprak të tij. Presidenti i ri, Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur “Së dyti, nuk ndërtohet procesi politik për ‘figurë konsensuale’ vetëm me një emër të përveçëm edhe atë pa e pasë miratimin e tij bile”, ka theksuar ai. Deda ka vënë në pikëpyetje edhe sinqeritetin e thirrjeve për bashkëpunim me opozitën, duke sugjeruar se procesi ka qenë më shumë formal sesa substancial. “Së treti, po shihet qartë që një proces që filloi me fjalë të mëdha si ‘bashkëpunim’, ‘raporte të reja me opozitën’, ‘dialog me partitë politike’, paska qenë i menduar më shumë si farsë se sa si bashkëbisedim për të mirën e vendit”, ka deklaruar Deda. Ai shtoi se një “president partiak”, sipas tij, mund të zgjidhet vetëm në rast të një marrëveshjeje politike për bashkëqeverisje. “Së katërti, ‘presidenti partiak’ zgjidhet vetëm nëse bëhet marrëveshje politike për bashkëqeverisje. Kjo çka po ndodhë nuk është politikë”, përfundoi ai. /Telegrafi/