Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ridi Kurtezi, ka bërë të ditur se në Dubai dhe në qytete të tjera të vendit ndodhen rreth 1,400–1,500 shtetas shqiptarë me rezidencë, ndërsa mijëra të tjerë mund të jenë turistë që hyjnë dhe dalin pa vizë. Në një intervistë për Top Channel, Kurtezi tha se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe se, për momentin, nuk ka nevojë për evakuim emergjent. Ai e cilësoi situatën si të papritur dhe të paparashikueshme, duke theksuar se lidershipi i Emirateve ka qenë në kontakte të vazhdueshme me palën iraniane dhe se vendet e Gjirit kishin bërë të ditur prej kohësh se nuk do të lejonin sulme nga territoret e tyre. “Ka qenë e papritur dhe e paparashikuar, prandaj ka krijuar këtë lloj impakti”, tha Kurtezi. Sipas tij, përveç rreth 1,500 rezidentëve shqiptarë, mendohet se mund të ketë edhe rreth 2,000 të tjerë që udhëtojnë drejt Emirateve pa pasur nevojë për vizë dhe pa obligim për t’u regjistruar pranë ambasadës. Ambasadori bëri të ditur se ka interes të shtuar nga qytetarët për të kuptuar zhvillimet, ndërsa ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me ta përmes telefonatave dhe email-eve, me qëllim qetësimin e situatës. Ai sqaroi se aktualisht nuk bëhet fjalë për bllokim të plotë, por për pamundësi lëvizjeje për shkak të situatës së sigurisë dhe mbylljes së hapësirës ajrore. Sipas tij, sistemi i mbrojtjes raketore të Emirateve, që konsiderohet ndër më të avancuarit në botë, nuk mund të lejojë qarkullimin e aeroplanëve në kushte të tilla, pasi prioritet ka interceptimin e raketave. Kurtezi shtoi se hapja e hapësirës ajrore nuk varet vetëm nga Emiratet, por edhe nga vendet fqinje, përfshirë Arabia Saudite, Katari dhe Kuvajti, të cilat po ashtu e kanë të mbyllur hapësirën ajrore. “Për momentin nuk po flitet për evakuim, pasi leja për hyrje dhe dalje është e pamundur, jo vetëm për Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe për vendet fqinje”, u shpreh ambasadori, duke theksuar se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.