Një delegacion i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur nga Kosova, i shoqëruar nga përfaqësues të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kroaci, me synim forcimin e bashkëpunimit në procesin e kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur nga lufta. Delegacioni kosovar u prit nga përfaqësues të Drejtorisë për të Burgosurit dhe të Zhdukurit nga Lufta Atdhetare në Kroaci, të kryesuar nga Ana Filko. Takimi u mbajt në Vukovar, në një frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi të ndërsjellë, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në procesin e kërkimeve. Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, falënderoi palën kroate për mikpritjen, duke theksuar simbolikën e Vukovarit si qytet i sakrificës dhe qëndresës gjatë Luftës Atdhetare, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë. Gjatë takimeve u prezantua metodologjia që aplikon Ministria e Veteranëve Kroatë në zbulimin e varrezave masive dhe individuale, përfshirë përdorimin e gjeoradarëve, qenve të trajnuar për kërkimin e mbetjeve mortore, dronëve dhe pajisjeve të tjera bashkëkohore teknike. Palët diskutuan edhe mundësinë e bashkëpunimit konkret dhe ofrimit të mbështetjes profesionale në hulumtimin e lokacioneve të mundshme, si dhe dimensionin ligjor të procesit, me theks në garantimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur. Delegacioni kosovar vizitoi lokacionin e varrezës masive “Petrovaçka Dola” në Vukovar, një nga rastet më komplekse të trajtuara nga autoritetet kroate, ku u prezantuan praktikat konkrete në procesin e kërkimeve dhe identifikimeve. Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit nga Kosova qëndruan edhe në Qendrën Memoriale të Luftës Atdhetare në Vukovar, Shtëpinë Përkujtimore në Ovçara, Memorialin e Varrit Masiv në Ovçara dhe Kompleksin Memorial të Varrezave të Viktimave nga Lufta Atdhetare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe respektimit të dinjitetit të viktimave. Në përmbyllje të vizitës u diskutua mundësia e formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe intensifikimi i mëtejmë i përpjekjeve për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur./ Telegrafi /