Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Uashington DC me takime në United States Department of Energy dhe në United States Department of State, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në energji dhe sektorin minerar. Gjatë vizitës, ministrja zhvilloi takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ku në fokus ishte avancimi i partneritetit në projekte konkrete energjetike dhe mundësitë e bashkëpunimit me kompani amerikane. “Në takimin me Ndihmëssekretarin në detyrë për Zyrën e Çështjeve Ndërkombëtare në Departamentin e Energjisë, z. Tommy Joyce u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndër-qeveritar dhe me kompani amerikane, duke pasur parasysh objektivat e përbashkëta dhe projektet aktuale në Kosovë”, thuhet në komunikatë. Në takim u diskutua edhe për teknologjinë e gazifikimit të thëngjillit, ku Departamenti i Energjisë së Shteteve të Bashkuara dhe kompanitë amerikane kanë përvojë dhe rezultate të dëshmuara. Gjatë vizitës ajo u takua edhe me zëvendës ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, z. Daniel Laëton ku u diskutua per bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve si dhe per thellimin e bashkëpunimit ne sektorë me rëndësi strategjike si energjia dhe minierat. Rizvanolli tha se e mbështet punën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë për ta zvogëluar varësinë e Evropës nga gazi rus. Ajo theksoi se, edhe pse Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit, zhvillimet në rajon dhe në Evropë ndikojnë te Kosova përmes çmimeve të importit. Prandaj, sa më e sigurt të jetë energjia në shtetet evropiane, aq më e sigurt është edhe për Kosovën. “Në takimin me Zëvendës ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, z. Daniel Laëton u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy vendeve që bazohet në parime e vlera të përbashkëta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorë me rëndësi strategjike, si energjia dhe minierat”- thuhet në njoftim. Ministria Rizvanolli shprehi falënderimin për përkrahjen dhe bashkëpunimin e dertanishëm, duke përfshirë vendimin e administratës së Presidentit Trump për ta vazhduar Programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjëçarit (MCC) për Kosovën. Ministrja theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë këtij mandati do t’i kushtojë vëmendje të veçantë edhe sektorit minerar. Ajo kërkoi përkrahje dhe thellim të bashkëpunimit në këtë fushë, krahas bashkëpunimit të suksesshëm që tashmë ekziston në sektorin e energjisë.