Në Prizren, ujërat atmosferikë po shkaktojnë telashe në lagjen "Dardania". Ka kohë që banorët dhe nxënësit e Qendrës së Kompetencës duhet të kapërcejnë rrugën me ujë për të shkuar në shkollë. Deri më tani janë sanuar vetëm problemet sipërfaqësore, pa e eliminuar rrjedhën e ujërave, të cilat, sipas banorëve, zbresin nga mali. Ujërat që përshkojnë rrugën në lagjen "Dardania", përveç dëmtimit të infrastrukturës rrugore, po shkaktojnë telashe te nxënësit e shkollës "Kopetenca" dhe banorët e kësaj zone. “Shpeshherë po kërcasin gypat e ujit. Normal po vjen ujësjellësi dhe po e kryjnë punën e vet, por prap i njëjti problem është edhe lart. Dimrit është ngricë, s’mundemi me u ngjit deri lart, duhet me i lënë pak më poshtë dhe me vazhdu lart,” tha Edrin Qylangjiu, transportues. Kjo gjendje mbetet problem në çdo stinë, edhe pse vitin e kaluar komuna intervenoi në sanimin e saj, ndërkohë që rruga përshkohet vazhdimisht nga nxënësit. “Janë sanuar vetëm kockat që kanë qenë të lëvizura nga vendi, ndërsa është mbushur me zhavor. Rrjedha e ujit nuk është ndalur, dhe në momentin që ka reshje ose shkrirje të akullit, rrjedha vazhdon në gjithë asfaltin nga kthesa e poshtme”, theksoi Edona Turtulla Rada, drejtoreshë e Shkollës së Kopetencës. Sipas zyrtarëve të Hidroregjionit Jugor, pas inspektimit në terren është konstatuar se uji që rrjedh nuk vjen nga ujësjellësi. Ndërkohë, drejtoria e shërbimeve publike pritet të intervenojë brenda javës. “Ne kemi konstatuar se aty duhet të intervenohet menjëherë. I kemi dhënë urdhëresën operatorit dhe brenda dy ditëve do të ndalohet uji në atë rrugë. Menjëherë pas ndaljes së ujit, do të fillojmë rregullimin e kubzave ku është bërë dëmtimi në atë pjesë të rrugës”, tha Islam Ukimeri, drejtor i shërbimeve publike në Prizren. Gjendja në këtë rrugë përkeqësohet sidomos gjatë motit të keq, kur reshjet janë të pandërprera./RTK