Autofagia, vitet e fundit ka tërhequr vëmendje të madhe në botën e fitnesit dhe dietave. Binjakët Hugo dhe Ross Turner realizuan një eksperiment tremujor me të njëjtin konsum kalorik, por me orare të ndryshme të vakteve, dhe ja çfarë rezultatesh arritën Në botën e fitnesit dhe dietave vazhdimisht shfaqen metoda të reja që premtojnë dobësim më të shpejtë dhe rezultate më të mira me të njëjtin konsum ushqimi. Vitet e fundit vëmendje të veçantë ka tërhequr autofagia. Gjithnjë e më shpesh shtrohet pyetja nëse orari i vakteve mund të ndikojë realisht në peshën trupore dhe metabolizmin, edhe kur konsumi i kalorive është plotësisht i njëjtë. Pikërisht kësaj pyetjeje u përpoq t’i përgjigjej një eksperiment i pazakontë i realizuar nga dy binjakë, të njohur për publikun në botën e fitnesit dhe ushqimit të shëndetshëm. Binjakët Hugo dhe Ross Turner, të njohur për eksperimentet e tyre të pazakonta trupore, këtë herë vendosën të testojnë një nga metodat më të njohura të fitnesit sot – agjërimin e ndërprerë, përkatësisht autofaginë. Qëllimi i tyre nuk ishte të humbnin peshë, as të ndiqnin një dietë restriktive, por të zbulonin nëse periudha kur hamë luan rol kur sasia e kalorive që konsumojmë është plotësisht e njëjtë. Pas tre muajsh, peshorja tregoi një ndryshim të jashtëzakonshëm. Hugo, i cili ndoqi autofaginë, përfundoi me pesë kilogramë më pak, ndërsa Ross, i cili hante gjatë gjithë ditës, shtoi katër kilogramë, transmeton Telegrafi. Të dy vëllezërit synonin një konsum prej 2.500 deri në 3.000 kalori në ditë, që është standard për meshkuj aktivë me përmasat e tyre. Por këtu çdo ngjashmëri përfundon: Hugo duhej t’i konsumonte të gjitha kaloritë brenda tetë orësh (zakonisht mes orës 10:00 dhe 18:00), ndërsa 16 orët e mbetura pinte vetëm ujë. Ross i shpërndau vaktet e tij gjatë 16 orëve, pa presion apo kufizime. Edhe pse humbja prej pesë kilogramësh tingëllon tërheqëse, Hugo pranon se procesi ishte gjithçka përveçse i lehtë. Problemi kryesor? Është fizikisht e vështirë të konsumosh 3.000 kalori në një periudhë kaq të shkurtër. Hugo thotë se praktikisht duhej të hante çdo dy orë gjatë periudhës së ushqimit, dhe e përshkroi ndjesinë si “mjaft të pakëndshme dhe të lodhshme”. Përveç lodhjes fizike, u prek edhe jeta e tij sociale. Daljet në mbrëmje me miqtë për të ishin “të thata”, ndërsa të tjerët hanin dhe pinin, ai shikonte orën, sepse koha e tij për ushqim kishte kaluar prej kohësh. Por edhe menytë e tyre ndryshonin ndjeshëm për shkak të vetë natyrës së eksperimentit: Hugo konsumonte vezë, tost, qull me shumë arra, peshk me oriz dhe darka të bollshme me proteina dhe karbohidrate, duke pirë vazhdimisht shake proteinikë. Ross gëzonte fleksibilitet maksimal: nga tost me reçel për mëngjes, makarona, mish të kuq dhe peshk, deri te pica që e porosiste herë pas here. Për të, konsumi i kalorive nuk ishte i vështirë, sepse e shpërndante gjatë gjithë ditës dhe ushqimi që konsumonte ishte më i shijshëm, por kujdesej të mos e tejkalonte numrin e kalorive të dakorduara. View this post on Instagram A post shared by ??? ?????? ????? (@theturnertwiins) Pavarësisht se Hugo e përshkroi regjimin e tij si jashtëzakonisht të vështirë, të dy vëllezërit ranë dakord për një përfundim të rëndësishëm: nuk ka rëndësi vetëm sa kalori konsumohen, por edhe kur konsumohen. Eksperimenti i tyre tregoi se, edhe kur sasia e ushqimit është e njëjtë, mënyra e shpërndarjes së vakteve gjatë ditës mund të ndikojë ndjeshëm në peshën trupore dhe metabolizmin. Ross pranoi se të dy funksiononin më mirë gjatë periudhave të agjërimit dhe se, nëse do të kishin nevojë të reduktonin yndyrën trupore, pa hezitim do t’i riktheheshin këtij regjimi. Për të ardhmen, ata planifikojnë një qasje më praktike: në vend të konsumimit të sasive të mëdha ushqimi, synojnë të përfshijnë më shumë yndyrna të shëndetshme, si vaji i ullirit dhe djathërat, të cilat sigurojnë shumë kalori në volum të vogël. Kjo e bën agjërimin e ndërprerë më të lehtë për t’u ndjekur dhe më të përballueshëm në jetën e përditshme. /Telegrafi/