Reali ka vendosur për mbrojtësin që do ta transferojë në verë

Real Madrid synon të përforcojë repartin defensivë gjatë afatit kalimtar të verës dhe drejtuesit e klubit duket se tashmë kanë vendosur për objektivin kryesor. Sipas raportimit të Diario AS, madrilenët nuk pritet të hasin pengesa të mëdha në garën për transferimin e Nico Schlotterbeck, falë marrëdhënieve shumë të mira që kanë me Borussia Dortmund. Mbrojtësi gjerman është identifikuar si objektivi kryesor në kuadër të riorganizimit të mbrojtjes, pasi pritet që David Alaba dhe Antonio Rudiger të largohen pas përfundimit të kontratave të tyre. Raportohet se Schlotterbeck ka zgjedhur të mos nënshkruajë zgjatje me Dortmundin, duke preferuar një hap të madh në karrierë drejt një klubi elitar evropian. Kontrata e tij aktuale me klubin gjerman është e vlefshme deri në qershor 2027. Presidenti i madrilenëve, Florentino Perez, ka ruajtur marrëdhënie të forta me Dortmundin ndër vite, bashkëpunim që rezultoi vendimtar edhe në transferimin e Jude Bellingham në vitin 2023. Klubi gjerman më herët kishte informuar Realin edhe për situatën e Erling Haaland kur ai kërkonte largimin, megjithatë sulmuesi norvegjez përfundoi te Manchester City. /Telegrafi/