Nga Mohamed Al Khereiji te blerja e 25% nga Cristiano Ronaldo: Ëndrrat e Almerias dhe planet për një të ardhme të madhe

Çfarë mund të ëndërrojë më shumë Cristiano Ronaldo pas një karriere të jashtëzakonshme? Ndoshta fitimin e Kupës së Botës me Portugalinë, arritjen e 1 mijë golave në karrierë, apo edhe zotërimin e një klubi. Në pritje që dy ëndrrat e para të realizohen, kampioni portugez tashmë ka përmbushur një tjetër objektiv duke iu bashkuar UD Almería përmes blerjes së 25% të aksioneve të klubit spanjoll që aktualisht luan në Divizionin e dytë dhe lufton për rikthim në elitë. “Almeria është një klub me baza të forta dhe potencial të qartë rritjeje”, kështu u prezantua CR7 para tifozëve të rinj, duke synuar të vazhdojë projektin ambicioz të klubit të udhëhequr nga presidenti Mohamed Al Khereiji, i cili e bleu klubin në vitin 2019, duke u bërë pronar dhe president. Nën drejtimin e tij, Almeria investoi në lojtarë dhe infrastrukturë, duke arritur edhe ngjitjen në La Liga. Majin e kaluar, Al Khereiji shiti aksionet e tij te një grup investitorësh sauditë të udhëhequr nga SMC Group, ndërsa vazhdon të jetë i përfshirë në projekte globale sportive, përfshirë investime në boks si blerja e revistës historike The Ring. Bëhet fjalë për një projekt afatgjatë që synon mbi të gjitha rikthimin e Almerias në elitën e futbollit spanjoll. Skuadra, e drejtuar nga Cesc Rubi, është plotësisht në garë për objektivin: një bazë 4-2-3-1, cilësi, rini dhe eksperiencë falë ish-lojtarit të AC Milan Rodrigo Ely, si dhe Leo Baptistao dhe Federico Bonini, qendërmbrojtës i lindur në vitin 2001 i marrë nga US Catanzaro. Ndër pikat e forta të Almerias janë edhe Adrian Embarba dhe Sergio Arribas, ky i fundit golashënuesi më i mirë në Segunda me 14 gola. Ky kombinim i ka çuar “Cowboys” në vendin e tretë me 48 pikë, vetëm dy pikë prapa liderit Racing Santander. Po sikur Cristiano Ronaldo ta mbyllte karrierën te Almeria? Nuk është thjesht fantazi. Vetë trajneri Rubi foli për këtë në konferencë para ndeshjes me Albacete Balompie. “Është një pyetje që duhet t’ia bëni atij, por do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Ky është klubi i tij tani. Dhe nëse do të donte të vazhdonte të luante, çdo trajner do ta priste me krahë hapur”. Në moshën 41-vjeçare, asgjë nuk është e pamundur — sidomos kur bëhet fjalë për CR7. Mbappe, Pique dhe Ronaldo: kur futbollistët bëhen investitorë Një nga pyetjet më të shpeshta për futbollistët është se çfarë do të bëjnë pas pensionimit. Disa zgjedhin sektorë të tjerë, ndërsa të tjerë vendosin të qëndrojnë në futboll duke investuar në klube. Në vitin 2024, Kylian Mbappe, përmes fondit Coalition Capital, bleu shumicën e aksioneve te Stade Malherbe Caen. Ndërkohë, Ronaldo Nazario bleu 51% të Real Valladolid në vitin 2018 duke u bërë president. Gerard Pique është president i FC Andorra, ndërsa N'Golo Kante zotëron Royal Excelsior Virton, klub belg i divizionit të dytë. Tendenca është në rritje dhe shumë legjenda të futbollit pritet të marrin role gjithnjë e më të mëdha prapa skenave. Nga Real Madridi te Al Nassr: Kur CR7 u përball me Almerian Gjatë karrierës së tij, Cristiano Ronaldo është përballur me shumë kundërshtarë, përfshirë Almerian gjatë kohës te Real Madrid. Një kthesë fati? Ndoshta — sidomos sepse klubi spanjoll ishte një nga “viktimat” e preferuara të CR7. Portugezi zhvilloi shtatë ndeshje kundër Almerias në kampionat, duke shënuar po aq gola. Një tjetër detaj interesant: verën e kaluar Al Nassr u përball me Almerian në një miqësore. Rezultati? Dopieta e zakonshme e Ronaldos nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 3-2. Protagonistë në atë takim ishin Arribas dhe Embarba, të cilët shënuan. Me pak fjalë, rrugët e Almerias dhe CR7 duket se kanë qenë të destinuara të kryqëzohen. /Telegrafi/