Mes tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme dhe pasigurisë në rajon, Ambasada e Republikës së Kosovës në Riad ka njoftuar për një vendim të ri të autoriteteve saudite që synon të lehtësojë tranzitin e shtetasve të huaj. Sipas njoftimit, Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite do të mundësojë pajisjen me viza hyrëse emergjente për shtetasit e huaj që ndodhen në vendet fqinje si Kuvajti, Bahreini, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani, me qëllim që të hyjnë në territorin e Mbretërisë dhe më pas të largohen drejt vendeve të tyre të origjinës. Autoritetet saudite kërkojnë lista me emra, të dhëna të pasaportave dhe destinacionet e udhëtimit për secilin shtetas, në mënyrë që të procedohet me lëshimin e vizave emergjente. Ambasada e Kosovës në Riad u ka bërë thirrje shtetasve që kanë nevojë për këtë lehtësim të dërgojnë të dhënat në emailin zyrtar: embassy.saudiarabia@rks-gov.net. Ky vendim vjen në një kohë kur zhvillimet gjeopolitike në rajon kanë rritur shqetësimet për sigurinë dhe lëvizjen e qytetarëve, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa për të garantuar tranzit të sigurt. /Telegrafi/