​Zgjedhja e presidentit, Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga qëndrimet bllokuese

Pa u zyrtarizuar kandidatët për president nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha se deri tani nuk ka asnjë kandidat me tridhjetë nënshkrime të deputetëve, raporton KosovaPress. Ajo, derisa u pyet se a do ta mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, tha se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së një ditë më parë ka pasur diskutime për presidentin, por nuk janë përmendur emra. “Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë të cilët i kanë tridhjetë nënshkrime. Kërkohet që të jenë dy kandidatë, por lejohen edhe tre apo katër kandidatë. Siç e dini, Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë dhe secili kandidat duhet të ketë tridhjetë nënshkrime, por një deputet nuk mund të japë nënshkrimin për dy kandidatë, por vetëm për një”, tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin. Ndërkaq, e pyetur për qëndrimin e PDK-së se kandidati për president duhet të vijë nga radhët e tyre, ajo tha se qëndrimet që bllokojnë nuk janë të mirëseardhura. Sipas saj, futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike, por edhe institucionale. “Nuk është koha as për përplasje dhe as për kërkesa të parealizueshme që e largojnë procesin nga thelbi i tij... Fryma e konsensusit dhe asnjë palë e vetme nuk mund ta bëjë. Prandaj duhen diskutime të sinqerta me kërkesa të arritshme dhe jo barrikada të patejkalueshme. Si kryetare e Kuvendit mirëpres takimet që kanë nisur nga partitë politike. Mbështes po ashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon... Për mua qëndrimet që bllokojnë nuk janë të mirëseardhura. Asnjëra prej subjekteve politike nuk duhet t’i thotë dikujt se është vetëm kandidati im partiak dhe m’i siguro nënshkrimet dhe votën në Kuvend. Nuk është në rregull të mos dihet as emri, por të thuhet: më siguro nënshkrimet dhe votën në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo. Krahas kësaj, Haxhiu tha se deri tani në LVV, e cila ka pushtetin dhe shumicën parlamentare në Kuvend, nuk janë përmendur emra të përveçëm që mund t’i përkrahin për president. “Në LVV ka pasur diskutime. Nuk janë përmendur emra të përveçëm, përveç atyre që janë përmendur nga kryeministri Kurti”, tha ajo. Në anën tjetër, Haxhiu bëri thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe aktgjykimet e institucionit më të lartë juridik në vend, ku sipas saj theksohet nevoja që deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për presidentin. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të gjithë deputetët e Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Pra kërkesa që duhet të jenë 80 vota është e ndërlidhur me këtë që deputetët të jenë në nivel të përgjegjësisë së tyre dhe të votojnë”, potencoi ajo. Haxhiu mohoi edhe mundësinë që ajo të jetë kandidate për presidente. “Jam kryetare e Kuvendit. Falënderoj deputetët për mbështetjen. As nuk është përmendur dhe as nuk do të përmendet”, tha ajo. Krahas këtyre, Haxhiu tha se Kryesia vendosi që të premten të mbahet seancë solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. /Kp/