Dita e De Bruyne: Ylli i Napolit rikthehet në stërvitje pas 128 ditëve

Ylli i Napoli, Kevin De Bruyne më në fund pritet të rikthehet në stërvitjet me ekipin e parë të hënën, pasi ka kaluar katër muaj jashtë fushave duke u rikuperuar nga një lëndim serioz në kofshë. Mesfushori belg ishte një nga emrat më të mëdhenj që u transferuan në Serie A gjatë merkatos së verës, duke iu bashkuar skuadrës së Antonio Conte si lojtar i lirë pas një periudhe 10-vjeçare te Manchester City në Ligën Premier. Gjashtë herë kampioni i Ligës Premier ka regjistruar vetëm tetë paraqitje në Serie A këtë sezon, pasi lëndimi në kofshë e ka mbajtur jashtë që nga 25 tetori. De Bruyne u dëmtua teksa po ekzekutonte një penallti në fitoren 3-1 të Napolit ndaj liderit të kampionatit Inter Milan në fund të tetorit. Më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për një çarje të rëndë të muskulit të kofshës, e cila kërkoi operacion dhe disa muaj rehabilitim. Belgu ka kaluar pjesën më të madhe të kësaj periudhe në vendlindjen e tij, Belgjikë duke punuar për rikuperimin, por u kthye në Itali javën e kaluar dhe pritet të rifillojë stërvitjet me grupin të hënën, 128 ditë pas lëndimit fillestar, sipas “La Gazzetta dello Sport”. Sipas raportit të së hënës, ekziston madje mundësia që De Bruyne të ftohet në skuadër për ndeshjen e Serie A ndaj Torino të premten në mbrëmje. Gjendja e tij fizike thuhet se është më e mirë nga sa pritej. Problemet me lëndimet te Napoli mund të jenë drejt fundit, pasi raporti shton se edhe Scott McTominay dhe Andre-Frank Zambo Anguissa janë pranë rikthimit në aksion me ekipin e parë. /Telegrafi/