Aktakuzë për tentim vrasje në Pejë, dyshohet se shtiu pesë herë me armë zjarri

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet B.A., për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, në lagjen “Jarina” në Pejë. I pandehuri dyshohet se, me dashje dhe me armë zjarri, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin me inicialet U.F. “Me të parë viktimën, i pandehuri ka shtënë në drejtim të tij pesë herë me armë zjarri, ku si pasojë viktima nga tri plumba ka pësuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim. Përveç tentim vrasjes, B.A. akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armës. Rasti pritet të procedohet në gjykatë për shqyrtim të mëtejmë.